AlbanianSport.com 23.01.2017 08:45
ASNN – Kombëtarja shqiptare në futbollin e sallës ka arritur fitoren e dytë në po kaq miqësore të zhvilluara deri tani në Prishtinë. Pas goleadës, 7-4, me Liburnin në mesjavë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli bënë “bis” dje edhe ndaj skuadrës vendëse. Golat për Shqipërinë e futbollit të sallës mbajnë firmat e Arbër Shkodrës, Halim Selmanajt (dy gola) dhe Azem Brahimit.
Kuqezinjtë përmbysën disavantazhin e pjesës së parë 1-2. Ndërkohë, për Prishtinën golat u shënuan nga Mergim Dervishaj. Kombëtarja është duke u përgatitur në Prishtinë në prag të paraeliminatoreve, të vlefshme për Kampionatin Evropian, që do të luhen në Varna të Bullgarisë. Këto ndeshje do të zhvillohen nga data 23, deri më 28 janar. Në grupin e Shqipërisë janë si kundërshtarë Anglia, Bullgaria dhe Malta.
Historike do të jetë ky event për përfaqësuesen e Kosovës, e cila përkon me debutimin e saj. Pas shortit të hedhur, Kosova gjendet në Grupin E së bashku me Norvegjinë, Danimarkën dhe Qipron, shtet ky ku do të luhet edhe faza paraeliminatore. Shtatë fituesit e grupeve do t’i bashkohen automatikisht vendit organizator, Sllovenisë, në turneun final.
Ndërkohë, 7 vendet e dyta dhe skuadra e tretë më e mirë e dalë nga turi paraeliminator do të luajë në fazën e “play-off”-it, nga data 10, deri më 13 shtator dhe nga data 24, deri më 27 shtator 2017. Dy fituesit e “play-off”-it kualifikohen për në fazën finale, që do të zhvillohet nga 30 janari, deri më 11 shkurt 2018, në “Arena Stozice” të kryeqytetit slloven, Lubjanë.