Gjergj Vyshka 04.03.2015 16:20
Vlonjatët kanë mundur në gjysmëfinale Benagon, sot përballë skuadrës vendëse. Skuadra e Mario Kalus ka bërë një tjetër prezantim të mirë në arenën ndërkombëtare. Benago është fituese pesë herë radhazi e Kupës “Adem Jashari” dhe si e tillë është vlerësuar maksimalisht nga Flamurtari. Për rrjedhojë loja e vlonjatëve, atje ku janë dalluar Maze, Karlo Kalus dhe Qopekaj, pa harruar këtu dhe kontributin e malazezëve Aloviç, Koçoviç dhe Gurzakoviç.
Pikërisht të tre këto futbollistë kanë qenë shënuesit e golave të vlonjatëve, të cilët kanë fituar 3-1. “Madje na kanë mbytur dhe gjyqtarët, ndërsa Rrapi ka dalë me karton të kuq. E megjithatë me tre lojtarë ia kemi dalë të jemi fitues, ndërsa sot shpresojmë të ngremë kupën në Drenicë”, – thotë kapiteni i vlonjatëve, Artan Qopekaj, kurse Flamurtari do të jetë përballë Feniksit në finale. E vërteta është se Flamurtari ka demonstruar formën e mirë të kampionatit.
Duke treguar se jo rastësisht është pretendente për titull, ashtu sikurse është mbi të tjerat dhe për shkak të ruajtjes së grupit të futbollistëve të sezonit të kaluar. E sot Flamurtari ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në Vlorë me trofe dhe për të vijuar më pas për të qenë përsëri kampion i Shqipërisë. Sepse dhe me këtë paraqitje në Kosovë tregon që është skuadër me shumë “sharm” për futbollin e sallës shqiptare.