AlbanianSport.com 01/03/2021 20:55
ASNN – Shqipëria e futbollit të sallës ka filluar grumbullimin dhe stërvitjet për dy ndeshjet e radhës, të vlefshme për turin elitë të Eliminatoreve të “Euro 2022”, ndaj Danimarkës, që do të luhen në Tiranë në datë 3 dhe 4 mars 2021. Edhe ndeshja e dytë, është vendosur të luhet në kryeqytetin shqiptar, për shkak të pamundësisë së zhvillimit të ndeshjes në Kopenhagen, si pasojë e kufizimeve anti-“Covid-19”. Në fillim të seancës së sotme stërvitore, për fshf.org ka folur kapiteni kuqezi, Roald Halimi, i cili mungoi në dy ndeshjet e para ndaj Kroacisë dhe Ukrainës për shkak të virusit korona.
Ai është i lumtur që ndodhet përsëri me grupin dhe kërkon që skuadra të besojë deri në minutën e fundit tek Evropiani. “Kemi një grup të konsoliduar, nuk është i ri, kemi vite që jemi bashkë, – ka thënë Halimi. – Kjo mund të jetë dhe pika e fortë e kësaj skuadre kombëtare, duke parë që i kemi hedhur bashkë të gjithë hapat, si kualifikimi në Botëror dhe Evropian. Në përbërje kemi disa elementë të rinj, është shans shumë i madh, këtë ja thashë trajnerit ashtu edhe ҫunave. Shans i madh edhe që do të luajmë në shtëpinë tonë, nuk do të udhëtojmë në Danimarkë. Tani është në dorën tonë dhe është një element që do na ndihmojë.”
Po si pret ai të vijë kundërshtari në këto dy ndeshje? “Siҫ kanë ndryshuar kundërshtarët ashtu kemi ndryshuar edhe ne, – ka theksuar kapiteni kuqezi i futbollit të vogël. – Duke qenë një sport i ri tek ne, ҫdo vit bëhen hapa të mirë përpara. Ne duhet ta mbajmë brenda nesh ëndrrën, sepse luhet një Evropian që po na pret. Akoma jam këtu me këtë shpresën se mund ta luajmë një Evropian. Ne nuk duhet t’i humbasim shpresat. Duhet të marrim 6 pikë këtu. Nuk e dimë se ҫ’farë do të ndodhë më pas ndërmjet Kroacisë dhe Ukrainës. Më pas në 40 minuta gjithҫka mund të ndodhë.”
“Në këtë moment nuk mund të them sesa shanse kemi, por duhet të jemi gjallë me ëndrën e Evropianit deri në minutën e fundit”, – ka përfunduar rrëfimin e tij kapiteni Roald Halimi.