Gjergj Vyshka 04.03.2015 13:25
Flamurtari i futbollit të sallës, kampionia në fuqi e Shqipërisë, do të jetë sot në finalen e Kupës “Adem Jashari” në Drenicë. Bëhet fjalë për një aktivitet, i cili ka nisur që ditën e hënë me pjesëmarrjen e gjashtë skuadrave. Në grupin A kanë qenë Benago (Republika e Çekisë), Besa e Pejës dhe Liburn i Gjakovës.
Kurse në grupin B ishin Flamurtari, Feniks i Drenicës dhe skuadra nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al-Ahlil. Në grupin A, të paktën edhe sipas informacionit që ka dhënë trajneri i Flamurtarit, Mario Kalus, por dhe kapiteni i kuqezinjve, Artan Qopekaj, vendin e parë e ka marrë Benago, që ka fituar 5-2 me Besën e Pejës dhe 3-2 me Liburnin.
Ndërkohë që Besa e Pejës ka zënë vendin e dytë duke mundur Liburnin 3-2. Në grupin e Flamurtarit, Feniksi ka zënë vendin e parë, teksa ka mundur 4-3 Flamurtarin dhe ka barazuar 3-3 me Al-Ahlili. Por vlonjatët kanë qenë më të fortë me arabët, të cilët i kanë mundur 3-2 dhe kanë hyrë në gjysmëfinale të kësaj Kupe.