AlbanianSport.com 07.05.2015 14:20
ASNN – Eliminojnë Teutën dhe Vllazninë. Vlonjatët vinin në gjysmëfinale me 5 mungesa të rëndësishme. Flamurtari-Ali Demi do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë në futbollin e sallës. Të dy ekipet respektive kanë fituar në ndeshjet gjysmëfinale ndaj Teutës dhe Vllaznisë. Vlonjatët e Flamurtarit fituan përballë Teutës me rezultatin e thellë 8-2. Në ndeshjen tjetër Ali Demi mundi 6-3 Vllazninë. Ndeshjet gjysmëfinale u luajtën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës, njëra pas tjetrës.
Flamurtari dhe Ali Demi janë dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë në futbollin e sallës. Pas turit të parë eliminator, mbrëmjen e së enjtes janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale Flamurtari-Teuta dhe Vllaznia-Ali Demi prej të cilave u kualifikuan dy skuadrat më të mira. Të parët që zbriten në fushë ishin vlonjatët dhe durrsakët ku skuadra kampione e Flamurtarit e drejtuar nga trajneri Mario Kalus ishte dominuese në të gjitha drejtimet ndaj Teutës.
Vete rezultati 9-2 flet qartë për epërsinë e padiskutueshme që Flamurtari kishte në këtë ndeshje. Spajdi Qopekaj me 4 gola ishte golashënuesi më i mirë në këtë ndeshje ndërkohë që golat e tjerë për vlonjatët kishin për autor Klodian Katirën dhe Sokol Nazen nga dy si dhe Fatjon Koçirajn nga një, përkundrejt dy golave durrsakë, me autor Ivi Bllacën dhe Sedat Hotin. Me këtë rezultat Flamurtari ishte skuadra e parë që siguroi finalen.
Vlonjatët kanë pritur me qetësi përfundimin e sfidës së dytë gjysmëfinale, asaj midis Vllaznisë vendase dhe Ali Demit mysafir. Një ndeshje kjo që megjithë dëshirën dhe këmbënguljen e shkodranëve, të cilët mbështeteshin nga tifozeria kuqeblu, nuk arriti të kualifikojë Vllazninë për në finalen e Kupës. Në ndryshim nga ndeshja e turit të parë, ku eliminuan Tiranën me rezultatin e ngushtë 6-5, këtë radhë shkodranët u mundën me rezultatin 3-6 nga një tjetër skuadër kryeqytetase, nga ekipi privat, KS “Ali Demi”.
Për skuadrën shkodrane, autorë të golave ishin Fatjon Pishtari, Shpëtim Çela dhe Arsid Çoba, ndërsa për skuadrën e “Ali Demit”, që drejtohet nga trajneri Ergys Kadija, gjashtë golat e shënuar kanë për autor Endrit Cacen (3), si dhe nga një Erind Mlloja, Arjan Bllumbi dhe Blendi Gocaj.
Kupa e Shqipërisë
Futbolli i Sallës
Gjysmëfinalet:
(7 maj 2015)
Flamurtari – Teuta 8-2
Vllaznia – KS “Ali Demi” 3-6
Finalja:
(10 maj 2015)
Flamurtari – KS “Ali Demi”