Gjergj Vyshka 26.01.2015 15:15
“Black Sheep” nuk ka të paguajë sallën, gati të tërhiqet nga kampionati i sivjetmë. Java e 4-t e Kampionatit të 12-të Kombëtar të Futbollit të Sallës nuk është zhvilluar e plotë. Ishte paralajmëruar që më parë nga administratori i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, Ardian Yzeiraj, se “Black Sheep” nuk do të lejohej të luante, pasi nuk ka paguar sallën për dy ndeshjet e saj.
Mirëpo nisur dhe nga fakti se do të luante me Tiranën thuajse në orarin stërvitor që bardheblutë e Artur Angonit bëjnë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” mund të mendohej dhe një gjetje e gjuhës së përbashkët mes të dy skuadrave. Por nuk ka ndodhur kështu. Federata Shqiptare e Futbollit, ndryshe nga tre ndeshjet e tjera të luajtura dje, nuk kishte vendosur për “Black Sheep”-Tirana as gjyqtarët dhe as delegatin.
E për rrjedhojë ndeshja nuk është luajtur, ndërsa “Black Sheep”, të paktën edhe sipas përgjegjësit të futbollit të sallës në Federatën Shqiptare të Futbollit, Endi Hyka, duket se ka të ngjarë të tërhiqet nga kampionati për arsye financiare. Dhe kjo nuk i bën fort mirë garës, kur ende janë për t’u luajtur dhe tre javë të tjera deri në përfundim të fazës së parë.
Kampionatit të 12-të Kombëtar
të Futbollit të Sallës
Java e 4-t
(25 janar 2015)
Flamurtari – KS Ali Demi 3-5
Teuta – Vllaznia 4-12
Universiteti Epoka – Edro Vlora 6-10
Black Sheep – Tirana (nuk u zhvillua)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- KS Ali Demi 4 3 1 0 21-13 10
- Edro Vlora 4 3 0 1 20-17 9
- Tirana 3 2 1 0 26-11 7
- Flamurtari 4 2 1 1 23-12 7
- Vllaznia 4 1 1 2 22-17 4
- Teuta 4 1 0 3 17-23 3
- Black Sheep 3 1 0 2 15-24 3
- Universiteti Epoka 4 0 0 4 21-40 0