AlbanianSport.com 19/07/2022 21:15
ASNN – Presidenti Matija sjell 4 lojtare të reja në skuadër. Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra, vazhdon përgatitjet për përballjet në Ligën e Kampioneve. Trajnerët Leka dhe Rexhepi së bashku me vajzat po kryejnë dy seanca stërvitore në ditë. Ndërsa presidenti Lazër Matija ka sjellë në ekip 4 lojtare të reja. Kështu, Vllaznia në futboll për femra vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.
Nën drejtimin e trajnerit Nikolin Leka dhe kolegut të tij, Fabiol Rexhepi, skuadra po stërvitet dy herë në ditë, në palestër përgatitje fizike dhe në fushë me topin në aspektin teknik dhe taktik. Për ta bërë sa më konkurruese skuadrën e tij, presidenti Lazër Matija, ka sjellë 4 lojtare të reja. Janë dy amerikane 23-vjeçare, portjerja Kljur Megan dhe sulmuesja Paterson Tarah Lin, malazezja 24-vjeçare, Maja Saranoviç, si dhe futbollisten e njohur nga Kosova, Jehona Shala.
Por presidenti Matija premton se do të sjellë edhe lojtare të tjera cilësore në prag të ndeshjeve në Ligën e Kampioneve. Ndërkaq, trajneri i parë Nikolin Leka tregon për përgatitjen e skuadrës që ai drejton. Edhe kapitenia e skuadrës shkodrane dhe lojtarja e Kombëtares kuqezi të femrave, Esmeralda Franja është e kënaqur me ecurinë e fazës përgatitore si dhe me prurjet e reja. Ajo thekson se lojtaret janë përshtatir shumë shpejt me ekipin.
Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës për turin e parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra, e ka vendosur Vllazninë të luajë në grupin e 10-të eliminator ku përballë do të ketë skuadrën e Breznicës së Malit të Zi dhe Spartak Mijavan e Sllovakisë. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen në Malin e Zi gjatë muajit gusht.