Gjergj Vyshka 29.02.2016 07:55
Vllaznia ka fituar për herë të dytë Kupën e Shqipërisë në futboll për femra, në një ndeshje me Kinostudion të cilën jo vetëm që e ka dominuar, por ka luajtur tenis me këtë skuadër. Sepse është fund të 90 minutave, kur dhe gjyqtari i Kategorisë së Parë të futbollit të meshkujve, Laver Alla, nuk është lodhur shumë për të gjykuar, është fiksuar rezultati 6-0. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se fillimi i ndeshjes është vonuar gati 10 minuta, sepse trajneri i Kinostudios, Gëzim Gjonpalaj, e ka pasur të vështirë të bëjë ekipin dhe më pas të plotësojë dhe protokollin.
E megjithatë, skuadrat kanë zbritur në fushë dhe, pa kaluar 3 minuta, Vllaznia ka kaluar në epërsi me anë të Gjergjit. Kinostudio nuk ka forcë reaguese, ndërsa në të 10-ën minutë, Muja, duke lënë pas dhe mbrojtjen kundërshtare, ka shënuar golin e dytë. Menjëherë vijnë zëvendësimet tek Kinostudio, por situata nuk ndryshon. Vllaznia qarkullon mirë topin dhe më pas edhe godet, por Noka arrin të shmangë pësimin e golave të sigurt.
Dhe në minutën e 38-të, në një aksion model të Gjinit nga krahu i djathtë, topin e krosuar nga kjo lojtare, Muja e ka dërguar topin në krahun e djathtë të Nokës, me një goditje perfekte me kokë, model dhe për mënyrën e gjetjes së kohës për të gjuajtur. Vllaznia nuk është ngopur, sepse Gjini, vetëm tre minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, ka shënuar golin e katërt. E dyta është një administrim i mirë i lojës nga shkodranët, ndërsa Baro në majë të sulmit paraqet disa herë rrezikshmëri. Në të 57-ën, Vllaznia ka fituar të drejtën e një 11-metërshi, që Doçi e ka kthyer lehtësisht në gol.
Është kjo lojtare që vetëm pas gati 20 minutash me një gjuajtje të rreptë nga rreth 20 metra shënon dhe golin e 6-të. E tashmë finalja ka marrë fund, ndërsa vërshëllima përfundimtare e Laver Allës ka nisur festën e Vllaznisë, por në krahun tjetër dhe keqardhjen e Kinostudios në një paraqitje me disnivel përballë shkodranëve. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Vasil Bici, ka dorëzuar medaljet e vendit të dytë për Kinostudion dhe medaljen e fitueseve dhe Kupën për Vllazninë, që kështu është fituese për herë të dytë e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra.
Kinostudio – Vllaznia 0-6
Shënues: Gjergji 3’, Muja 10’, 34’,
Gjini 42’, Doçi 57’(11-m.), 67’
E diel, 28 shkurt 2016, ora 11:10
në Kompleksin Sportiv “Olimpik”, Yrshek
Kinostudio: Noka, Molla (Jova 25’), Llalla, Lufi, Poçesta, Fekollari, Lulaj, Cana, Beqiri (Veliaj 12’), Kuçi, Tabaku. Trajner: G. Gjonpalaj
Vllaznia: Durmishi, Sufaj (Baro 46’), Lipa (Bibaj 76’), Begolli, Bajraktari, Proto, Gjergji, Muja, Gjini, Gruda, Doçi. Trajner: N. Leka
Gjyqtarë: L. Alla, D. Koreshi, E. Malo (Lushnjë)
Kupa e Shqipërisë
Futboll – Femra
Libri i Artë i fitueseve:
2009-2010 Tirana AS
2010-2011 Ada e Velipojës
2011-2012 Juban Danja
2012-2013 Juban Danja
2013-2014 Ada e Velipojës
2014-2015 Vllaznia
2015-2016 Vllaznia