AlbanianSport.com 14/08/2018 18:40
ASNN – Vllaznia e futbollit të femrave është përfaqësuesja më e mirë në arenën ndërkombëtare. Jo thjeshtë se ka luajtur në mënyrë dinjitoze, teksa ka marrë dy fitore dhe vetëm një humbje, që më pas e ka penalizuar për të shkuar më tej. Por sepse prodhon futboll në arenën ndërkombëtare përtej faktit që në Shqipëri luhet një kampionat “sa për sy e faqe”. Vllaznia u shpall “kampione” pa kundërshtar, ndërsa në 20 ndeshje mori 20 fitore.
Pra plot 60 pikë. Shënoi 131 gola dhe pësoi vetëm një. E kjo gjë riprodhohet dhe në arenën ndërkombëtare. Skuadra e trajnerit Nikolin Lekës nuk është se u dekurajua nga humbja 0-5 me Sarajevën. Përkundrazi përmbysi ndaj estonezëve të Pantusë disavantazhin 0-1 në 3-1. Po të njëjtën gjë bëri dhe me moldavet e Aneni Noi, duke fituar 4-1. Sigurisht që edhe kundërshtaret nuk kanë qenë në nivelin e Vllaznisë. Që do të thotë se edhe në Evropë ekzistojnë skuadra më të dobëta se Vllaznia.
Shtatë gola të shënuar, por forcën kryesore e kanë mbajtur Luçie Gjini, Megi Doçi dhe Uendi Muja, secila me nga dy gola, ndërsa një gol e shënoi dhe Esmeralda Franja. Shtatë gola të pësuar tregon, të paktën kjo në ballafaqimim me boshnjaket e Sarajevës, se mbrojtja ka probleme. Por ky vend i dytë, shoqëruar me dy fitore dhe 6 pikë, është arritje dhe për kombëtaren e Armir Grimës. Sepse pjesa më e madhe e Vllaznisë është pjesë e kombëtares.
Barazimi 1-1 në prill të këtij viti, në ndeshjen në fushën e polakeve, apo dhe fitorja 1-0 me Bjellorusinë ishin dhe fryt i lojtareve të Vllaznisë, sidomos Luçie Gjinit. Kombëtares i ka mbetur dhe një ndeshje për t’u luajtur në shtëpi, me Skocinë, më 4 shtator 2018, në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Francë 2019”, kurse Vllaznia ishte pasqyra më e mirë e futbollit të femrave në arenën ndërkombëtare. Sepse realisht kemi shenja rritje dhe nuk është pak.