AlbanianSport.com 09/09/2021 23:55
ASNN – Vajzat kuqeblu munden 0-1 edhe në Torino përballë Juventusit dhe i japin lamtumirën Evropës. Është luajtur të enjten në mbrëmje ndeshja e kthimit midis Juventusit dhe Vllaznisë, e vlefshme për turin e dytë eliminator, apo thënë ndryshe turin e 32-shes së Ligës së Kampioneve të Evropës në futboll për femra. Skuadra shkodrane shkroi historinë edhe këtë sezon, duke siguruar, për të dytin sezon radhazi, vendin midis 32 skuadrave më të mira të topkëmbës kontinentale të vajzave.
Dhe këtë radhë u përball me sfidën e vështirë të ndeshjes me kampionen e Italisë, Juventusin. 4 vite radhazi “kampione” të Gadishullit të Apenineve, juventinet e patën fituar ndeshjen e 1 shtatorit në Shkodër, duke triumfuar me shifrat 2-0, me të dy golat të shënuar në pjesën e parë. Dhe ato kanë vijuar të sulmojnë edhe në ndeshjen e kthimit, të luajtur në Kompleksin Stërvitor të Juventusit në Torino dhe të sjellë për sportdashësit, ashtu sikundër edhe ndeshja e parë, drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport.
Shkodranet kanë rezistuar, por vetëm për 34 minuta, atëherë kur edhe Juventusi ka gjetur golin e parë. Pavarsisht se Vllaznia do të guxojë më tepër në 10 minutat e fundit, duke provuar edhe ta godasë portën juventine, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të skuadrës vendase. Ajo e dyta do të shohë italianet të kënaqen me administrimin e epërsisë, duke u mjaftuar ta godasin nëpërmjet kundërsulmeve Vllazninë, që nga ana e saj nuk e ka forcën goditëse dhe qartësinë e duhur për të ndërtuar aksione të mirëfillta që do ta çonin tek goli i barazimit.
Edhe pse rastet nuk kanë munguar, sidomos për skuadrën vendase, 45-minutëshi i dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Vllaznia mundet kështu 0-1 nga Juventusi edhe në ndeshjen e kthimit dhe eliminohet nga Liga e Kampioneve të Evropës në futboll për femra, duke bërë sidoqoftë një paraqitje dinjitoze në turneun prestigjioz kontinental.