AlbanianSport.com 20.01.2017 09:35
ASNN – Ishte hedhur si hipotezë që nga momenti kur Kosova u pranua në UEFA dhe në FIFA, por tanimë është bërë realitet. Sepse dikur do të ndodhte. Ka ardhur më në fund një derbi gjithëshqiptar në turin e parë eliminator të Botërorit 2019 të futbollit të femrave.
Kjo sepse shorti e ka vënë Shqipërinë në të njëjtin grup me Kosovën, debutuese në këtë veprimtari. Një derbi kuqezi që do të zhvillohet në shtëpi, pasi kjo fazë do të mbahet në Shqipëri në muajin prill të këtij viti. Të dy përfaqësueset janë pjesë e Grupit 2, aty ku ndodhen edhe Malta e Greqia.
Përfaqësuesja greke është rivalja më e vështirë, ndërsa më parë vajzat kuqezi janë përballur edhe me Maltën. Në turin pasardhës shkojnë fituesit e secilit grup dhe skuadra e renditur e dyta me rezultatet më të mira. Kjo është hera e dytë që Shqipëria merr pjesë në Eliminatoret e Botërorit për femra.
Në edicionin e vitit 2015 kaloi me sukses turin e parë, por dështoi në të dytin ku mori vetëm 3 pikë. Kështu pra, nuk zgjati shumë dhe ashtu siç parashikohej, sporti do të përball Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtete kundërshtare. Kështu ndodh me ndeshjet Eliminatore për Botërorin “Francë 2019” në futboll për femra.
Shorti i hedhur mesditën e së enjtes në Nion të Zvicrës ka nxjerrë në grupin 2 Shqipërinë, Kosovën, Greqinë edhe Maltën. Të gjitha këto ndeshje të fazës paraeliminatore do të zhvillohen në Shqipëri. Në total marrin pjesë 46 skuadra me një koeficient relativisht të ulët.
Dhe këto katër grupet do të zhvillojnë një miniturne nga i cili do të kalojë më tej në fazat e tjera të të botërorit 5 skuadra. Ky edicion i këtyre paraeliminatoreve do të jetë i veçantë për Kosovën, e cila do të debutojë me skuadrën e femrave në një veprimtari ndërkombëtare, ashtu siç do të jetë edhe për Andorrën.
Faza e parë e paraeliminatore do të luhet në Shqipëri, Ishujt Faroe, Gjerorgji dhe Lituani nga datat 6 deri më 11 prill 2017.