Gjergj Vyshka 27.01.2016 12:05
Në prani të 2,000 shikuesve, atje ku rreth 20 tifozë kanë qenë kuqezi, Greqia e ka nisur në mënyrë marramendëse ndeshjen. 11-metërshi i dhënë për vendëset që në minutën e 6-të dhe e kthyer në gol nga Sidira i ka dhënë shtysë heleneve që të bëjnë gjithçka mirë. Shqipëria kalon një situatë të vështirë, ndërsa është e turbullt jo vetëm në sulm dhe në mesfushë, por mbi të gjitha në mbrojtje.
Dhe pasoja është e rëndë. Kunguli në të 10-ën dhe Panteliadu në të 15-ën, madje kjo e fundit e ka marrë topin nga jashtë zonës, ka shmangur katër lojtaret tona, dhe ka shënuar, fiksojnë rezultatin 3-0. Më parë, sapo ishte dëgjuar vërshëllima e parë e belges Derouo, Kunguli kishte paralajmëruar rrezikun në portën e Zanit. Por Shqipëria merr veten.
Velaj paralajmëron atë gol ngushëllues në minutën e 26-të, kurse Memedov dhe Velaj japin sinjalin që do të ketë edhe një tjetër për tonat. Dhe nuk ka qenë gabim si parashikim, sepse Hashani në të 41-ën minutë ka ngushtuar në 3-2. Pjesa e dytë është e kujdesshme. Kunguli në minutën e 62-të dhe Sidira në të 79-ën kanë kërkuar të thellojnë.
Por vetëm kaq. 3-2 për Greqinë, ndërsa vajzat kuqezi të trajnerit Altin Rrakllit, atje ku përsëri kanë luajtur me dy fytyra, kanë humbur ndoshta një shans për të marrë edhe një pikë në Trikalla.