Gjergj Vyshka 20.01.2017 19:35
Greqia, Malta, Kosova dhe, përballë tyre, Shqipëria. Për trajnerin e Kombëtares së Femrave, Armir Grima, ky grup ishte më i vështiri që doli pas shortit këtë të enjte. Pas hedhjes së shortit, duke folur për faqen zyrtare të FSHF-së, në lidhje me pritshmëritë e skuadrës së tij, pasi ka njohur kundërshtarët e ardhshëm të grupit, Grima ka dhënë përshtypjet e tij në lidhje me atë se çfarë mund të arrijë kjo kombëtare në këto kualifikuese.
“Unë kam besim dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur që të kualifikohemi për më tej. Desha të evidentoj faktin që një përballje shumë emocionuese do të jetë ajo me Kosovën, e cila është në grupin tonë, grup që gjithsesi e konsideroj shumë të vështirë, por ne do bëjmë çmos të kalojmë më tej”,- theksoi trajneri i Kombëtares së femrave, që vetëm pak ditë më parë në një miqësore me 19-vjeçaret italiane në Elbasan humbi minimalisht me rezultatin 0-1.
Takimet eleminatore do të luhen në vendin tonë në datat 6, 8 dhe 11 prill 2017. Katër fitueset e çdo grupi dhe skuadra e dytë me bilancin më të mirë ndaj kryesueses në grupin e vet do të kualifikohen në turin e dytë, ku do të hidhet një tjetër short.