AlbanianSport.com 04/03/2021 21:55
ASNN – Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë është fituar nga vajzat bardheblu të Tiranës. Ndeshja u luajt këtë të enjte në fushën e Kompleksit “Skënder Halili” dhe u mbyll me rezultatin 4-1. Një ndeshje emocionuese kjo mes dy skuadrave të cilat zhvilluan një lojë shumë të bukur dhe luftuese. Në një përkim interesant, në minutën e 6-të të takimit, është numri 6 i Tiranës, Ina Goro, ajo hap sfidën, duke kaluar në epërsi ekipin e Tiranës.
Shumë raste, por kjo pjesë e takimit mbyllet në favor të vajzave të Tiranës, të cilat futen në dhomat e zhveshjes me epërsinë e një goli. Në pjesën e dytë, Partizani kundërpërgjigjet me Joana Milen, e cila barazon shifrat dhe rihap sërish sfidën në minutën e 60-të të takimit. Ky barazim nuk zgjat më shumë se 5 minuta, pasi janë sërish vajzat bardheblu ato të cilat gjejnë rrjetën e Partizanit, duke dyfishuar rezultatin përmes Kuim Monakivines.
Në minutën e 69-të, Antonela Kosta trefishon rezultatin ndërsa në të 76-ën minutë, Kesiana Goro vulos rezultatin 4-1. Ky derbi konsiderohet historik sepse është hera e parë që këto dy skuadra përballen me njëra-tjetrën në një veprimtari të tillë si Kupa e Shqipërisë, ndërsa janë përballur edhe dy herë të tjera më parë, në dy sfida të vlefshme për kampionat dhe një miqësore të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Tirana bëhet kështu gjysmëfinalistja e 3-të dhe do të përballet në ndeshjen e ardhshme me ekipin e Vllaznisë në Shkodër. Më 5 mars 2021, të premten, pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalistja e 4-t të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, në ndeshjen që do të luhet në Fier, mes Apolonisë vendase dhe Kinostudios.