AlbanianSport.com 02.06.2016 07:55
Kombëtarja e futbollit të femrave të Shqipërisë, sot pasdite në ora 17:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luajë ndeshjen e saj të parafundit të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Holandë 2017”.
Përballë vajzave kuqezi do të jetë Rumania dhe në pragun e kësaj ndeshje, trajneri i kombëtares së Shqipërisë në futbollin për femra, Armir Grima, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka shpalosur edhe synimet për dy ndeshjet e mbetura.
Kombëtarja e Shqipërisë në futbollin e femrave deri më tani është mundur 1-4 dhe 2-3 me Greqinë, 0-3 me Rumaninë, 0-6 me Francën, 0-4 dhe 0-2 me Ukrainën. Që do të thotë se kemi shënuar tre gola dhe kemi pësuar 22 gola.
Në të njëjtën kohë përgjatë vitit 2016 është humbur 1-3 miqësorja me Kosovën në Stadiumin “Elbasan Arena”, 1-3, si dhe në vizitën e Hungarisë, që shënon edhe ndeshjen e parë të Grimës si trajner i kuqezinjve, 0-6.
E në të tilla kushte, ende pa e ngritur kokën lart, Shqipëria e futbollit të femrave është gati për ndeshjen e parafundit me Rumaninë, që do të luhet sot në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:00.
Një treshe gjyqtaresh nga Belgjika do të jetë sot në drejtimin e ndeshjes Shqipëri-Rumani. Kryesore do të jetë Lois Ote, ndërsa ndihmëse të saj do të jenë Elia De Vries dhe Stefani Forde. Dhe gjyqtare e katërt do të jetë ndërkombëtarja jonë Fatjona Borova.