Albaniansport.net 22.01.2016 16:15
Shqipëria e futbollit të femrave do të luajë të martën e ardhshme takimin e katërt të vlefshëm për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Holandë 2017”. Vajza kuqezi do të jenë përballë Greqisë në Trikalla, ndërsa ndeshja do të luhet ora 13:00, me orën e Tiranës, (14:00 atë lokale). Për të qenë sa më pranë kufirit me Greqinë, Kombëtarja e Shqipërisë është grumbulluar dje në Pogradec, ndërsa skuadra do të qëndrojë e mbledhur në qytetin liqenor deri të dielën.
Ditë në të cilën do të udhëtojë dhe drejt Trikallës së Greqisë, e cila me autobus nga Pogradeci është afërsisht gati 9 orë. “Gjatë këtyre ditëve të grumbullimit do të përpiqemi të përgatisim sa më mirë takimin e ardhshëm kundër Greqisë, – deklaroi trajneri i kuqezinjve, Altin Rraklli, duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit. Do të punojmë shumë që të mbyllim hapësirat që krijuam për kundërshtarin gjatë ndeshjes që zhvilluam me ta në Fier.”
“Mendoj se pikërisht këto hapësira na penalizuan dhe për këtë arsye nuk duhet të biem në gabime të tilla”, – shtoi Rraklli. Deri më tani, Kombëtarja kuqezi ka bërë tri ndeshje, të cilat i ka humbur. Dy në shtëpi, 1-4 në Fier me Greqinë dhe 0-6 me Francën në “Qemal Stafa”, si dhe 0-3 në fushë të huaj ndaj Rumanisë. Me Greqinë, duke futur këtu dhe Eliminatoret e Kampionatit Botëror, zyrtarisht janë luajtur tre ndeshje, atje ku një Shqipëria e ka fituar, 1-0 në Durrës, me 30 tetor 2013
Ndërsa dy të tjerat i ka humbur (0-4 më 17 shtator 2014 dhe 1-4 më 22 tetor 2015). Pa llogaritur disa miqësore në të cilat ka fituar dhe është mundur. Përgjithësisht gjendja mund të duket e pranueshme për të gjitha vajzat, pavarësisht se kampionati ka kohë që ka përfunduar pas mbarimit të fazës së parë, ndërsa ende nuk ka nisur Kupa e Shqipërisë. E përtej kësaj Shqipëria e femrave është gati për ndeshjen e radhës me Greqinë, të martën në Trikalla.
Lista e futbollisteve të grumbulluara për Greqinë
Portiere: Pellumbesha Gjyli, Marigona Zani
Mbrojtese: Albina Rrahmani, Valbona Lipa, Egzona Selimi, Denisa Proto, Sara Maliqi, Arbiona Bajraktari, Fitore Govori
Mesfushore: Dafina Memedov, Geldona Morina, Aurora Seranaj, Lavdie Begolli, Cyme Lulaj, Saranda Hashani
Sulmuese: Suada Jashari, Furtuna Velaj, Arta Rama