AlbanianSport.com 26/10/2021 22:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra ka zhvilluar këtë të martë ndeshjen e radhës në fushë të huaj ndaj Polonisë, në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Australi-Zelandë e Re 2023”. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Armir Grima e nisi ndeshjen në Stadiumin “Tihi” me këtë formacion: Rexhepi, Hilaj, Curraj, Maliqi, Elezaj, Gjini, Franja, Krasniqi, Doçi (kapitene), Hamidi dhe Maksuti. Vajzat kuqezi e nisin mirë sfidën, duke qenë të barabarta me rivalet polake, madje në disa momente kanë qenë dukshëm superiore.
Në minutën e 4-t Megi Doçi depërton bukur në zonë, por nuk arrin të finalizojë siç duhet në momentin e fundit. Polaket reagojnë dhe rrezikojnë në disa raste, por pa arritur të gjejnë golin. Në minutën e 22-të Krasniqi del para porte pas një aksioni të bukur, por për gjyqtaren është në pozicion jashtë loje. Në minutën e 38-të Polonia fiton një 11-metërsh pas një faulli të vajzave kuqezi në zonë e për këtë arsye Franja ndëshkohet me karton të verdhë. Nga pika e bardhë godet kapitenia Dudek, e cila tregohet e saktë dhe i kalon vendaset në epërsi, duke fiksuar rezultatin në 1-0.
Pjesa e parë mbyllet kështu me epërsinë e polakeve, që në pjesën e dytë vazhdojnë të këmbëngulin dhe shfaqen vazhdimisht në sulm. Kombëtarja shqiptare përpiqet të reagojë dhe të gjejë golin e barazimit, duke afruar në disa raste. Në minutën e 89-të Polonia shënon edhe golin e dytë me anë Mesjazh. Në minutat e fundit në fushë për vajzat kuqezi hyjnë edhe Esi Lufo dhe Sara Begallo, të cilat zëvendësuan Maksutin dhe Krasniqin.
Rezultati deri në fund nuk do të ndryshojë, me Shqipërinë që mundet 2-0 në Poloni, një nga rivalet më të forta të Grupit F të Botërorit të femrave ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Belgjika, Armenia dhe Kosova. Hëpërhë, Shqipëria ka 4 pikë pas po aq ndeshjesh.