AlbanianSport.com 21/02/2022 22:05
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të presë një veprimtari të rëndësishme evropian, i pari për këtë vit, që do të pasohet nga veprimtari të tjera të mëdha në vendin tonë. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve të fazës së dytë të Kampionatit Evropian të Futbollit të Femrave për grupmoshën e Nën-17-vjeçareve.
Shqipëria e drejtuar nga trajneri Agustin Kola është shortuar në të njëjtin grup me Skocinë, Azerbajxhanin dhe Maqedoninë e Veriut. Të gjitha ndeshjet e grupit B3 do të zhvillohen në Shqipëri në datat 8, 11 dhe 14 mars 2022. Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Azerbajxhanit më 8 mars, duke nisur nga ora 14:30 në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Vajzat kuqezi do të luajnë 3 ditë më vonë ndaj Skocisë në po të njëjtën orë në Elbasan, teksa ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut më 14 mars në ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena”. Shqipëria është sërish pjesë e Ligës B dhe do të tentojë në këtë fazë ngjitjen në Ligën A, për të garuar për në Eliminatoret e radhës për të qenë pjesë e Evropianit.
Ndërkohë, Federatës së Futbollit i janë besuar një sërë veprimtarish të rëndësishme të nivelit evropian përgjatë viteve të fundit. Një tregues mjaft i qartë ky i punës së shkëlqyer të FSHF-së duke dëshmuar seriozitet dhe besueshmëri te qeveria e futbollit europian, që i ka besuar edhe organizimin e finales së parë dhe historike të turneut më të ri, Ligës së Konferencës, që mbahet më 25 maj 2022 në Stadiumin “Arena Kombëtare”.