Gjergj Vyshka 28.10.2015 08:55
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra e ka humbur dhe ndeshjen e dytë eliminatore të Kampionatit Evropian “Holandë 2017”. Nuk ka gjetur shpëtim as në Bukuresht, atje ku Rumania, e cila ka marrë fitoren e saj të parë pas tre ndeshjesh, na ka mundur lehtësisht. Ashtu sikurse kishte parashikuar dhe trajneri Altin Rraklli, Shqipëria ka pasur ndryshime në formacion.
Duke nisur që nga porta, ndërsa titullare është Gjyli, e cila e ka mirë detyrën e saj pavarësisht golave të pësuar. Në mbrojtje në vend të Memedov është Bajraktari. Po kështu në mesfushë në vend të Curos është vendosur Serenaj dhe në vend të Begollit, Domi. E pavarësisht këtyre ndryshimeve, Rumania na ka vënë nën presion që në minutat e para.
Madje edhe pse ka pasur një vendosje 4-5-1, atje ku ka pasur denduri lojtaresh në mesfushë dhe në mbrojtje, sërish skuadra vendëse na ka çarë. Dy gola për 24 minuta dhe kaq ka mjaftuar që tonat të mos kenë forcë për të reaguar. Tek-tuk ndonjë goditje me Velajn e Morinën, por fare pak, ndërsa vendëset janë gjithnjë në zonën e Kombëtares kuqezi të vajzave.
Herë portierja Gjyli, e cila ka shpëtuar gola të sigurtë, e herë rumunet, që kanë qenë të pasakta në shënjestrën e tyre, na kanë shpëtuar nga një humbje më e rëndë. Ka ardhur dhe gol i vendëseve në minutën e 74-t. Por në tërësi dy ndeshje, asnjë pikë, një gol i shënuar dhe 7 të pësuar janë një alarm për gjendjen ku ndodhet futbolli i femrave. Ndaj dhe nuk bëjmë dot përpara.
Rumani – Shqipëri 3-0
Shënuese: Lunka 9’, Korduneanu 24’, Xhiurxhiu 74’
E martë, 27 tetor 2015, ora 15:00 në stadiumin “Mogosaia”, Bukuresht
Rumania: R. Oprean, Bortan (Xhiurxhiu 55’), Korduneanu (Olar 83’), Ficzai, Vatafu, Ciolaku, Voicu, Olar, Lunka, O. Oprea, Batea (Gorea 72’). Trajner: M. Albon
Shqipëria: Gjyli, Proto, Franja (Lipa 21’), Bajraktari, Serenaj, Morina, Velaj (Maliqi 82’), Domi, Gjini, Kurbogaj (Gjegji 46’), Doçi. Trajner: A. Rraklli
Gjyqtare: A. Miniç, S. Biliç, A. Kojoviç (Serbi)