AlbanianSport.com 02.07.2015 14:35
ASNN – Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Japoni është finalja e madhe e Botërorit të Futbollit të Femrave, që po zhvillohet në Kanada. Sikundër dy gjysmëfinalet, edhe finalja e madhe e 4 korrikut do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, Kampionati Botëror i Futbollit të Femrave ka përcaktuar dy ekipet që do të diskutojnë midis tyre finalen e madhe të 4 korrikut dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia. Kjo e fundit e ka fituar të drejtën për ta mbrojtur titullin pasi triumfoi mbrëmë në mënyrë dramatike në gjysmëfinalen e dytë ndaj Anglisë, duke iu falur një autogoli në sekondat e fundit shtesë të ndeshjes.
Sikundër ndodhi me gjysmëfinalen e parë, atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, edhe gjysmëfinalja e dytë ka qenë një histori 11-metërshash, pasi Japonia ka kaluar e para në epërsi në minutën e 33-të, kur Mijama shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar në mënyrë kontradiktore.
Por vetëm 7 minuta më pas, në krahun tjetër, është një tjetër 11-metërsh, i realizuar me sukses nga Uilliams, ai që rikthen barazinë në rezultat dhe me shifrat 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para. Në ato të dytat, janë anglezet ato që luajnë më mirë dhe e rrezikojnë seriozisht portën japoneze, por pa e gjetur dot golin.
Dhe atë që nuk e bëjnë në portën kundërshtare, anglezet e bëjnë në portën e tyre, kur, në sekondat e fundit të minutës së 3-të shtesë, Baset e devijon topin në rrjetë. Japonia fiton 2-1 dhe tashmë do të përballet në finale me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në atë që është një përsëritje e finales së Botërorit të shkuar.