AlbanianSport.com 24/02/2022 13:25
ASNN – Mes dramës familjare, Ligës së Kampioneve dhe Shqipërisë, rrëfehet “luftëtarja” Sara Maliqi. Çdo ditë është një betejë, por ato kur ka edhe futboll në mes janë edhe më të bukura. Gëzojnë ata që mbushin stadiumet, gëzojnë edhe ata ose ato që janë në fushën e blertë. Sara Maliqi, mbrojtësja e kombëtares së Shqipërisë dhe Vllaznisë, edhe pse luan prej vitesh, çdo ditë me futboll i duket gjithmonë e bukur. Edhe kur ka menduar që do të ishte fundi, Sara nuk është dorëzuar. Ajo luan edhe për babanë e saj, që nuk jeton më.
Ai ka qenë mbështetja e saj më e madhe dhe një prej arsyeve që zgjodhi të luante me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Para vendimeve të vështira tregohet karakteri dhe Sarës nuk i mungon as brenda dhe as jashtë fushe. Ajo ka rrëfyer për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit takimin e saj me futbollin, hapat e parë, kalimin te Vllaznia, idhullin e saj spanjoll dhe rëndësinë e të veshurit të fanellës kuqezi. Në fund nuk mungon edhe një mesazh i fortë të gjitha vajzat që duan të merren me këtë sport, apo të ndjekin ëndrra të tjera të tyre.
Kjo është pjesa e dytë e intervistës së Sara Maliqit, ndërsa pjesën e parë keni patur mundësi ta lexoni dje.
… Vijon nga dje
– Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
– Futbolli tek unë si lojtare dhe si njeri ka ndikuar shumë. Ndoshta mund të them se pa të, asgjë nuk do ishte siç është tani. Brenda futbollit, nëse do të hysh dhe të eksplorosh, do të mësosh shumë gjëra të reja, do të zhgënjehesh, por në fund do të mësosh që pas çdo humbje duhet të ngrihesh dhe të luftosh për rezultate të mira. Ka ndikuar te shoqëria ime, që sot falë futbollit kam një shoqëri të shëndetshme që është e gatshme të më mbështesë dhe të më japë kurajo edhe në momentet e vështira. Përsa i përket mentalitetit, më kanë parë edhe shpesh herë ndryshe për shkak te sportit. Ka pasur paragjykime të tilla si “futbolli nuk është për femra” ose gjëra të tjera, por kjo nuk më ka ndaluar mua dhe asnjë vajzë tjetër që ka pasur dëshirë për t’u dukur ndryshe ose për të menduar për ta lënë vetëm për këtë arsye. Përkundrazi duhet të vërtetojmë dhe ta thyejmë këtë tabu që ndoshta nuk ndodhet vetëm në sport.
– Kohët e fundit futbolli i femrave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe federatat. Si e shikoni këtë?
– Mbështetja e vazhdueshme nga FIFA, UEFA dhe federatat normalisht që për ne është diçka shumë e mirë. Kohët e fundit kjo ka ndodhur dukshëm dhe ne e kemi ndjerë në çdo aspekt përsa i përket fushës së blertë. Mbështetja prej institucioneve të rëndësishme na bën të punojmë akoma më shumë, për ta çuar futbollin në nivele të larta. Motivimi nuk na ka munguar asnjëherë, sidomos në veprimtari të rëndësishme.
– Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
– Të përfaqësosh ngjyrat kuq e zi do të thotë me të vërtetë shumë, do të thotë të përfaqësosh një komb të tërë, zemrat e të cilëve rrahin kuq e zi. Është një peshë shumë e madhe, duke qenë se unë jam një ndër të vjetrat e ekipit dhe emocionet që na ka përcjellë çdo ndeshje janë të shumta dhe të papërshkrueshme. Sa herë qe vishem me këto ngjyra e kuptoj akoma më shumë rëndësinë e të luajturit për vendin tim, e kuptoj sesa domethënëse është për të gjithë njerëzit që na ndjekin që të fitojmë dhe të japim më të mirën në fushë. Besoj se do të vazhdoj të mbetet kështu edhe për shumë breza të tjerë.
– Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
– Herën time të parë në fanellën kuq e zi e mbaj mend mirë, sepse në atë kohë për mua ka qenë një zgjedhje mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk ka qenë aspak i lehtë vendimi për të përfaqësuar kombëtaren shqiptare, pasi edhe Kosova është vendi ku unë jam lindur dhe rritur. Me zemër dhe me dëshirën e prindërve të mi, normalisht që zgjodha flamurin kuq e zi, një zgjedhje për të cilën krenohem. Përshtypjet përsa i përket grumbullimeve të mia të para kanë qenë shumë të mira. Ka pasur konkurrencë ndërmjet grupit, që është gjë e mirë dhe të shtyn të përmirësohesh akoma më shumë.
– Çfarë mesazhi u jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Besoj se kjo intervistë duhet të përcillet si një mesazh shumë i fortë për vajzat që duan të vazhdojnë rrugëtimin e futbollit. Nuk duhet të ndalen nga fjalët apo të lënë ëndrrat e tyre përgjysmë, në çfarëdolloj fushe të jetës, jo vetëm në futboll. Paragjykimet do të jenë gjithmonë në mesin tonë, por duhet t’i anashkalojmë duke u munduar të zgjedhim rrugën e duhur dhe pasionin më të madh për veten. Motivimi dhe mbështetja e familjes nuk duhet të mungojë kurrë.