Gjergj Vyshka 07.02.2016 16:50
Skënderbeu s’paraqitet në Shkodër, Vllaznia, Kinostudio, Tirana dhe Apolonia në gjysmëfinale. Janë luajtur dje ndeshjet e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra.
Ajo që bie në sy është fakti se Vllaznia si kampione dhe fituese e Kupës së Shqipërisë në fuqi është kualifikuar për në gjysmëfinale pa luajtur. Sepse Skënderbeu nuk ka udhëtuar drejt Shkodrës.
Ndërkohë Tirana ka bërë “bujë” teksa ka fituar 3-1 ndaj Juban Danjës në fushë të huaj. Për skuadrën vendës ka shënuar Krasniqi, kurse për Tiranën kanë realizuar Koldashi, Vishkulli dhe Kodra.
E formacioni titullar i Tirana AS-së në këtë ndeshje është përbërë nga Deda, Beqiraga, Tota, Sallahi, Kola, Mema, Koldashi, Kotarja, Vishkulli, Leba, Kodra, ndërsa u aktivizuan dhe Koceku e Muho.
Ndërkohë Kinostudio ka mundur 7-0 Dajtin, kurse surpriza tjetër e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ka qenë fitorja e Apolonisë në fushë të huaj, në Shkodër, ndaj “The Door”. Kështu, Vllaznia, Kinostudio, Tirana dhe Apolonia janë në gjysmëfinale.