Gjergj Vyshka 03.06.2017 11:35
Në prag të pjesëmarrjes në turneun miqësor të Malit të Zi, atje ku do të jetë përfaqësuesja vendëse, Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia, trajneri i Kombëtares së të rejave në futboll për femra, Nevil Dede, ka zhvilluar dje një tjetër përzgjedhje me kandidatet e kësaj përfaqësueseje.
Sipas asaj që raporton faqja zyrtare në Internet e Federatës Shqiptare të Futbollit, në përzgjedhjen që është zhvilluar në Kamëz kanë marrë pjesë lojtare të datëlindjes 2001, 2002 dhe 2003, ndërsa kanë qenë lojtare nga të gjitha skuadrat vendëse.
Trajneri Dede do të përzgjedhë futbollistet më të mira që t’i ketë pjesë të kontingjentit të kombëtares për ndeshjet e ardhshme. Nga data 25, deri më 31 tetor 2017, kjo përfaqësuese do të mirëpresë grupin eliminator të Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçareve në Tiranë, ndërsa do të jetë përballë Spanjës, Ukrainës dhe Azerbajxhanit.