AlbanianSport.com 04/05/2021 21:40
ASNN – Sezoni 2020-2021 është edhe sezoni që shënon zbatimin e strategjisë së re për futbollin e femrave, strategji kjo që është ndërtuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), me qëllimin e qartë, masivizimin dhe rritjen cilësore të futbollit të femrave në vend. Pjesë e kësaj strategjie ishte dhe ngritja e Kampionatit Kombëtar të grupmoshës së Nën-15-vjeçareve. Ky kampionat filloj në muajin shkurt dhe në këtë edicion të parë marrin pjesë 8 skuadra. Vllaznia, Kinostudio, Teuta dhe Murlanin që garonin ndërmjet tyre në Grupin A dhe Apolonia, Lushanja, Pogradeci dhe Elbasani pjesë e grupit B.
Faza e ndeshjeve në grupe u zhvillua me sistemin vajtje-ardhje dhe përfundoi këtë javë me sukses për të grupet, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe katër skuadrat gjysmë finaliste. Grupi A luajti javën e 6-të me derbin e Shkodrës ndërmjet Murlanit dhe Vllaznisë, që spikati në javën e fundit. Kjo përballje përfundoi me rezultatin 6-1 në favor të vajzave kuqeblu, të cilat e mbyllën grupin si fitues me pikë të plota pas 6 ndeshjeve. Në vendin e dytë u rendit Kinostudio, me vajzat kryeqytetase që në javën e fundit barazuan ndaj Teutës në Durrës me rezultatin 1-1. Kinostudio, me 10 pikë të grumbulluara, kalon në fazën gjysmëfinale.
Teuta e mbylli garën me 4 pikë, duke u renditur në vendin e 3-të ndërkohë që Murlani, e 4-ta, me vetëm 3 pikë pas 6 ndeshjeve të luajtura. Ndërkaq, edhe Grupi B luajti javën e 6-të dhe të fundit, me Pogradecin që triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Elbasanit në fushën e kësaj të fundit, një fitore kjo që u dha mundësi vajzave pogradecare të renditen në vendin e 3-të në grup. Derbi i Myzeqesë ndërmjet Apolonisë dhe Lushnjës ishte vendimtar për të përcaktuar skuadrën që do të dilte në fazën gjysmëfinale si kokë grupi. Lushnjaret vinin në këtë ndeshje me një pikë më shumë se Apolonia.
Fieraket kërkonin fitoren për të marrë vendin e parë dhe ja arritën duke shënuar dy gola, nga një në secilën pjesë, duke u ngjitur në fundin e fazës së grupeve në kuotën e 15 pikëve, dy më shumë se Lushnja, që sidoqoftë kalon në fazën tjetër si skuadra e vendit të dytë. Në fazën gjysmëfinale, Vllaznia do të luajë me Lushnjën ndërkohë që Apolonia do të ketë përballë Kinostudion. Ndeshjet e para të gjysmëfinaleve do të zhvillohen në datë 15 maj, ato të kthimit në datë 22 maj. Në javën e fundit të muajit maj, 30 maj, do të zhvillohet dhe finalja e madhe për të përcaktuar kampionen e parë kombëtare të femrave për Nën-15.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
(Nën-15-vjeçaret)
Grupi A
Renditja përfundimtare
Nr. Skuadra Pikë
- Vllaznia 18
- Kinostudio 10
- Teuta 4
- Murlani 3
Grupi B
Renditja përfundimtare
Nr. Skuadra Pikë
- Apolonia 15
- Lushnja 13
- Pogradeci 4
- Elbasani 3