AlbanianSport.com 15/03/2021 17:10
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra për Nën-15-vjeçaret, turneu i zhvilluar nga Federata Shqiptare e Futbollit, vijon të zhvillojë me sukses aktivitetin e saj javë pas jave në grupet A dhe B. Të dielën, në qytetin e Lushnjes është zhvilluar derbi myzeqar mes Lushnjes dhe Apolonisë, ndeshje që ka përfunduar në favor të lushnjareve.
Një lojë e mirë nga të dyja ekipet, që pavarësisht moshës premtojnë shumë për të ardhmen e futbollit të femrave në Shqipëri. Tre herë shënuan lushnjaret në portën e fierakeve, të cilat nuk arritën të shënojnë më shumë se një gol, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin final 3-1. Ndërkohë këtë të hënë është zhvilluar edhe ndeshja tjetër e javës së tretë e Grupit B mes Pogradecit dhe Elbasanit.
Sfida e luajtur në qytetin e Pogradecit përfundoi në favor të mikeve, të cilat fituan me rezultatin 1-3 në një ndeshje jo të lehtë. Pas javës së 3-të, Elbasani renditet në vendin e 3-të, duke parakaluar liqenoret ndërsa Lushnja udhëheq me pikë të plota, 9, pas fitores ndaj fierakeve që gjenden në vendin e dytë me 6 pikë.
Kampionati Kombëtar i
Futbollit për Femra
për Nën-15-vjeçaret
Grupi B
Java e 3-të:
Lushnja – Apolonia 3-1
Pogradeci – Elbasani 1-3
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Lushnja 9
- Apolonia 6
- Elbasani 3
- Pogradeci 0