AlbanianSport.com 09/02/2019 20:15
ASNN – Nëse futbolli i femrave në Shqipëri nuk është ende në lartësinë e kërkuar kjo vjen ngaqë ai është ende në hapat e parë dhe i duhet ende punë të arrijë nivelin evropian. Por edhe në këto kushte, futbolli i femrave regjistron një rekord botëror. Kështu, për vitin 2018, është një futbolliste nga Shqipëria që radhitet e para në botë si golshënuese. Është fjala për Megi Doçin, lojtaren e Vllaznisë dhe të Kombëtares, e cila realizoi gjatë vitit 2018, në ndeshjet zyrtare, plot 84 gola.
Duke lënë kështu pas emra të njohur të futbollit botëror të femrave. Duket e habitshme por është e vërtetë. Në 20 golashënueset më të mira në garat zyrtare të vitit të kaluar në listë janë dhe dy sportiste të tjera nga Shqipëria, Cyme Lulaj e Kinostudios me 50 gola, si dhe Kesjana Goro e Apolonisë me 39 gola. Në lidhje me Doçin mund të thuhen fjalët më të mrekullueshme, sepse ajo spikati fort gjatë vitit të kaluar me lojërat e saj plot pasion dhe saktësinë e finalizimeve, duke qenë edhe shtyllë e skuadrës kombëtare.
Me 84 golat e saj gjatë vitit 2018 ajo lë pas amerikanen e Barcelonës, Kristia Freda, që ka shënuar 82 gola, si dhe Rozelord Borxhellënm që ka realizuar 66 gola. Kurse Cyme Lulaj e Kinostudios, me 50 gola, renditet në vendin e 6-të. Megi Doçi, përveçse një futbolliste mjaft teknike dhe që bën veprime magjepsëse me topin, sidomos driblime, është dhe sportistja më e mirë e vitit 2018 në Shqipëri, një çmim që e mori nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Vajza me origjinë nga Mati është kështu një superlojtare, e cila mund të luante me sukses edhe në ekipet elitare jashtë vendit.