AlbanianSport.com 03/10/2021 19:25
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit të Femrave ka ngritur siparin e edicionit të 13-të këtë fundjavë. Java e parë e këtij kampionati është zhvilluar e ndarë në dy ditë, ku 3 nga ndeshjet u luajtën ditën e shtunë, ndërsa dy sfidat e tjera u zhvilluan ditën e diel. Derbi kryeqytetas Kinostudio-Tirana ishte ndeshja e parë që çeli këtë edicion të ri. Sfida e zhvilluar në Kamëz u mbyll me fitoren e vajzave bardheblu, të cilat treguan superioritet gjatë të gjithë ndeshjes, duke shënuar 8 gola në portën kundërshtare.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 5-0 në favor të Tiranës, ndërkohë që në pjesën e dytë shënojnë edhe tre gola të tjerë. Vazjat bardheblu e nisin kështu mbarë kampionatin, duke marrë 3-pikëshin e parë. Të shtunën u zhvilluan edhe dy sfida të tjera. Korçaret e Skënderbeut udhëtuan drejt Shkodrës, në një vizitë jo të lehtë kundër Atletik Club, ku ndeshja nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1. Ishin juglindoret ato të cilat kaluan të parat në epërsi.
Skënderbeu shënoi me atë të Dea Repës, e cila realizoi në minutën e 52-të të takimit, ndërsa verioret u kundërpërgjigjën me Samela Markaj në minutën e 70-të. Të dyja ekipet ndanë nga një pikë në këtë javë të parë të kampionatit. Partizani e nisi jo mirë sezonin e ri, duke marrë humbjen e parë në vizitën fierake. Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Loni Papuçiu” u përfundoi me shifrat finale 5-1 në favor të Apolonisë. Pjesa e parë u mbyll e barabartë, me porta të paprekura.
Ndërsa në pjesën e dytë, vendaset shpërthyen në gola, duke shënuar 5 të tillë në portën e mikeve dhe duke rrëmbyer kështu tre pikët e para. Ndërkaq, në dy sfidat e ditës së diel, Lushnja bindi në ndeshjen ndaj Teutës, pasi fitoi me rezultatin 3-2. Një fitore që i jep siguri myzeqareve dhe besim në këtë edicion të ri futbollistik. Të dyja ekipet arritën të shënonin nga një gol në 45 minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë, vendaset kaluan në epërsi.
Por Teuta arriti sërish të barazojë shifrat në 2-2. 10 minuta para fundit të lojës, skuadra lushnjare shënoi edhe golin e tretë, duke marrë kështu fitoren e parë në kampionat. Vllaznia, kampionia në fuqi fitoi bindshëm derbin verior kundër ekipit të Murlanit, ku fitoi ndeshjen me rezultatin 14-0.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e parë
Kinostudio – Tirana 0-8
Atletik Club – Skënderbeu 1-1
Apolonia – Partizani 5-1
Lushnja – Teuta 3-2
Vllaznia – KF Murlani 14-0
Tirana AS pushim