AlbanianSport.com 07/11/2021 21:40
ASNN – Skënderbeu merr fitoren e parë, nuk ka surpriza nga Vllaznia e Apolonia. Java e katërt e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave është zhvilluar këtë fundjavë. Një javë që u luajt pa ekipin e Tiranës, që bazuar në kalendarin e këtij sezoni ishte pushim. Kështu, ndeshja e parë e kësaj jave të katërt u zhvillua në Korçë, me ekipin e Skënderbeut që arriti fitoren e parë sezonale ndaj Lushnjes. Fillimisht ishin myzeqaret ato që kaluan në epërsi që në minutën e 4-t, me Gegën, ndërsa barazimi do të vinte në minutën e 8-të me Potomin.
Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 1-1, teksa në pjesën e dytë të lojës, Joana Niçku do të shënonte një dygolësh për juglindoret, duke vulosur fitoren 3-1, me korçaret që marrin kështu 3 pikët e para në kampionat. Ndërkaq, në sfidat e ditës së diel, nuk ka të papritura sa u përket dy pretendenteve kryesore, Vllaznia dhe Apolonia, që kanë marrë fitoret e radhës. Pas pushimit një javor, Vllaznia u rikthye në fushë, ku përballë kishte Atletik Klub, në derbin shkodran që u fitua nga kampionet në fuqi. 4-0 u mbyll kjo sfidë, me 2 gola të shënuar nga Megi Doçi, si dhe Klaudja Borçi dhe Xhulia An’Satler.
Në anën tjetër, Apolonia ka fituar në fushë të huaj ndaj Tirana AS, me rezultatin e thellë 0-14. Një fitore me vlerë 3 pikë për fieraket, që tregojnë kështu formën e mirë që po kalojnë në këtë sezon. Sakaq, Partizani ka marrë fitoren e radhës në kampionat, ku ka mundur me shifrat 4-1 Teutën. Një ndeshje mjaft e mirë e të kuqeve, që shënuan dy gola në pjesën e parë të lojës me Tabakun dhe Locën ndërsa me fillimin e pjesës së dytë të lojës, durrsaket ngushtuan rezultatin me Bushin. Megjithatë, kryeqytetaset shënuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë me Kokën dhe Qosen.
Duke marrë kështu 3 pikë dhe duke u ngjitur në vendin e katërt në kampionat. Sfida tjetër ishte ajo mes Murlanit dhe Kinostudios, një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat që përfundoi me barazimin 3-3. Fillimisht ishin shkodranet ato të cilat zhbllokuan rezultatin me Vishkullin, teksa kryeqytetaset përmbysën rezultatin me golat e Lulaj dhe Torit. Me fillimin e pjesës së dytë, Murlani gjen sërish golin me Vasën, ndërsa Ndeme do të shënonte golin e tretë për Kinostudion në minutën e 57-të. Pak minuta para përfundimit të lojës, Vishkulli realizon golin e barazimit për Murlanin.
Me këtë barazim, skuadrat ndajnë nga një pikë në këtë javë të katërt. Më poshtë edhe renditja e skuadrave pas javës së 4-t:
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 4-t
Të shtunën, 6 nëntor 2021:
Skënderbeu – Lushnja 3-1
Të dielën, 7 nëntor 2021:
Tirana AS – Apolonia 14-0
Vllaznia – Atletik Klub 4-0
Murlani – Kinostudio 3-3
Partizani – Teuta 4-1
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Apolonia 12
- Vllaznia 9
- Tirana 9
- Partizani 9
- Atletik Klub 4
- Kinostudio 4
- Skënderbeu 4
- Murlani 4
- Lushnja 3
- Teuta 0
- Tirana AS 0