AlbanianSport.com 31/10/2021 23:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra është rikthyer të luhet sërish këtë fundjavë, pas periudhës së shkëputjes së lojës për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Kjo javë e tretë mori udhë në stadiumin “Roza Haxhiu”, aty ku Partizani i dha një “shuplakë” ekipit të Lushnjës. Kryeqytetaset ishin dukshëm më superiore, teksa golin e epërsisë e shënuan në minutën 18-të me Mesuare Begallon. Të kuqet realizuan edhe dy herë të tjera me Locin dhe Xhebrahimin, duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 3-0.
Në pjesën e dytë, Begallo katërfishoi shifrat, ndërsa për golin e 5-të mendoi Bleona Koka. Me fitoren 0-5 në fushë të huaj, Partizani ngjitet në vendin e 4-t me 6 pikë, ndërsa Lushnja renditet në vendin e 7-të, me 3 pikë. Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Atletik Klub fitoi me rezultatin 6-2 kundër Tirana AS. Një ndeshje që prodhoi jo vetëm gola, por edhe lojë të bukur dhe mjaft emocione. Ishin shkodranet ato që kaluan të parat në epërsi me Iris Armokun, e cila shënon dygolësh në minutat 7 dhe 22.
Kryeqytetaset kundërpërgjigjen shumë shpejt, duke shënuar dy gola të shpejtë në harkun kohor të 3 minutave. Ishte Xhaferaj ajo e cila ngushtoi rezultatin në minutën e 26-të, ndërsa Banushi barazoi shifrat në minutën e 29-të. Një gabim i Xhaferaj nga ana e bluve do të kalonte sërish në epërsi Atletik Klub, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Shpella do të dërgonte shifrat në 4-2 për vendaset. Me fillimin e pjesës së dytë, Iris Armoku shënon edhe dy gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 6-2. Atletik Club me këtë fitore shkon kështu në kuotën e 4 pikëve.
Ndërsa Tirana AS renditet e fundit me 0 pikë, me një ndeshje më pak. Këtë të diel janë zhvilluar edhe tre sfidat e tjera. Kinostudio mori një 3-pikësh me vlerë në kryeqytet kundër Skënderbeut, teksa kaloi në epërsi që në minutën e 10-të, me Neme Obogo, ndërsa në pjesën e dytë të lojës do të dyfishonte shifrat Cyme Lulaj. Kjo ishte fitorja e parë për kryeqytetaset në këtë sezon të ri, të cilat radhiten në vendin e 6-të me 3 pikë, ndërsa Skënderbeu, me vetëm një pikë të marrë, ndodhet në vendin e nëntë.
Tirana ka mundur në fushë të huaj Teutën, ku ka fituar me shifrat 6-0. Durrsaket gabojnë që në minutën e 7-të, teksa një gol i Duros do të kalonte në epërsi kryeqytetaset. Bardheblutë shënojnë edhe dy herë të tjera në 45 minutat e para me Alijaj dhe Metallën. Në pjesën e dytë, tiranaset shënon edhe 3 herë të tjera, me Daniela Kodrën, Goron dhe Gjonin. Pas javës së 3-të, Tirana renditet me 9 pikë të plota në vendin e dytë, ndërsa Teuta numëron 0 pikë pas 3 javësh. Dhe, së fundmi, Apolonia ka shkatërruar me rezultatin 10-2 Murlanin.
Valentina Troka dhe Egzona Gashi realizuan nga 3 gola secila për fieraket, teksa, Liridona Gashi dhe Klea Hamonikaj vulosën nga një dygolësh secila. Dy golat për verioret i shënuan Anela Vishkulli dhe Rosela Vasa. Apolonia kryeson pas javës së 3-të me 9 pikë, po aq sa Tirana, ndërsa në vendin e 3-të renditet Vllaznia me 6 pikë dhe me një ndeshje më pak, teksa këtë javë, për efekt kalendari, kampionia në fuqi ishte pushim.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 3-të
Renditja:
Nr. Skuadra Pikë
- Apolonia 9
- Tirana 9
- Vllaznia 6
- Partizani 6
- Atletik Klub 4
- Kinostudio 3
- Lushnja 3
- Murlani 3
- Skënderbeu 1
- Teuta 0
- Tirana AS 0