AlbanianSport.com 21/01/2024 18:05
ASNN – Janë luajtur këtë të diel ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të veprimtarisë së dytë të topkëmbës së vajzave në vend, Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, nga ku janë njohur edhe 4 skuadrat gjysmëfinaliste të edicionit të 15-të të këtij turneu.
Ndeshja e parë e së dielës ka qenë Lushnja-Tirana, një sfidë që dukej formalitet për vajzat bardheblu, pas rezultatit 16-0 në përballjen e parë. Takimi që ishte programuar të luhej në Kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet, duke nisur nga ora 10:00, u fitua gjithashtu nga vajzat bardheblu me shifrat 4-3.
Ndeshja tjetër e kësaj faze ishte ajo mes Gramshit e Vllaznisë. Takimi i parë përfundoi në favor të vajzave shkodrane, me rezultatin 2-0. Për gramshiotet, synim ishte kthimi i rezultatit, por Vllaznia nuk është paraitur në ndeshjen e kthimit, që ishte planifikuar të luhej në Gramsh, duke nisur nga ora 13:30. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF do të marrë vendimin për këtë ndeshje, nga ku do të dalë edhe gjysmëfinalisti i katërt.
Dy ndeshjet e fundit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ishin ato që u luajtën duke nisur në të njejtën orë, 14:00. Apolonia ka udhëtuar drejt Laçit, teksa edhe për fieraket, kjo ndeshje duket një formalitet pas fitores së thellë 11-1 në takimin e pare. Edhe në ndeshjen e dytë, Apolonia ka fituar thellë, 8-1, ndaj kurbinaseve.
Në sfidën paralele, Kinostudio ka pritur në shtëpi Partizanin, një ndeshje ku vajzat e kuqe do të tentonin të ruanin epërsinë 2-0 të ndeshjes së parë, të zhvilluar në shtëpi. Por Partizani nuk është mjaftuar me kaq, pasi e ka fituar edhe ndeshjen e kthimit, madje bindshëm, me shifrat 8-0.
Kupa e Shqipërisë
Futboll – Femra
Çerekfinalet:
(14 janar 2024 – 21 janar 2024)
Tirana – Lushnja 16-0
Lushnja – Tirana 3-4
Vllaznia – Gramshi 2-0
Gramshi – Vllaznia (Nuk u luajt)
Apolonia – Laçi 11-1
Laçi – Apolonia 1-8
Partizani – Kinostudio 2-0
Kinostudio – Partizani 0-8