AlbanianSport.com 01.03.2017 07:05
ASNN – Kombëtarja shqiptare e femrave ka fituar me një përmbysje spektakolare përballë Malit të Zi, teksa në përfundim të 90-të minutave në Stadiumin “Elbasan Arena” është sigluar rezultati 5-3 në favor të vajzave kuqezi. Në pjesën e parë ishin mikeshat nga Mali i Zi që shënuan dy herë, duke krijuar iluzionin se nuk do kishte më histori për vajzat tona.
Mirëpo, në pjesën e dytë, Shqipëria arrin të shënojë plot 5 gola në portën kundërshtare duke e fituar krejt takimin në shifrat e thella 5-3. Që në minutën e tretë është sulmuesja malazeze Kuç, që e dërgon sferën në rrjetë duke bërë që skuadra e saj ta nisë shumë mirë ndeshjen.
Minutat kalojnë dhe ka vetëm një ekip në fushë dhe u duk sikur ndeshja u mbyll në të 18-të, pas dyfishimit të rezultatit nga ana e Bojatit. Shqipëria bën shumë pak në këtë fraksion loje dhe vlen për t’u përmendur një rast i Megi Doçit nga një goditje dënimi. Por sërish ishte shumë pak për të pretenduar që Shqipëria të shënonte një gol shprese.
Pjesa e parë e sfidës mbyllet kështu 0-2 për malazezet. Në këtë fraksion loje do të vinte përmbysja e madhe, sepse fillimisht ngushton diferencat Jashari në të 52-tën. Loja e vajzave tona vjen në rritje dhe në minutën e 68-të është Hashani, që kthen barazpeshën në fushë me golin e shënuar në portën kundërshtare.
Në të 81-ën është sërish Bojat për mikeshat, që shënon duke i dërguar shifrat në 2-3. Kur u duk sikur Shqipëria do të humbte, vjen një super përmbysje në minutat e fundit. Fillimisht, në minutën e 86-të, është Gjini, që kthen edhe njëherë barazpeshën në fushë.
Dhe kur sfida po shkonte drejt barazimit, Memedov kalon për herë të parë në avantazh Shqipërinë. E kjo ndodh tre minuta nga fundi i ndeshjes. Nuk mbaron me kaq, sepse ka kohë edhe për një gol të Begollit në të 92-ën. Dhe, në përfundim, me një përmbysje të madhe, por dhe me një “lumë golash”, Shqipëria e femrave e ka fituar sfidën me Malin e Zi, 5-3.
Shqipëri – Mali i Zi 5-3
Shënuese: Jashari 52′, Hashani 68′, Gjini 86′,
Memedov 87′, Begolli 90’/ Kuç 3′, Bojat 18′, 81′
E mërkurë, 28 shkurt 2017, ora 12:00
në Stadiumin “Elbasan Arena”
SHQIPËRIA: Rexhepi, Rrahmani, Curraj, Maliqi, Doçi, Hashani, Proto, Lulaj, Lipe, Elezaj, Memedov. U aktivizuan: Begolli, Bajraktari, Jashari, Franja, Gjini. Trajner: A. Grima
MALI I ZI: Obradoviç, Radanoviç, Boziç, Saranoviç, Djorkoviç, Djukoviç, Bulatoviç, Bojat, Djokoviç, Vukçeviç, Kuç. U aktivizuan: Radunoviç, Krivokapiç, Paviçeviç, Vuliç, Popoviç, Trutiç. Trajner: D. Haxhiosmanoviç
GJYQTARË: F. Xhemalaj, E. Kume, M. Salla (Elbasan)
KARTONË TË VERDHË: Memedov / Boziç, Bulatoviç, Djorkoviç