AlbanianSport.com 18/09/2021 17:55
ASNN – Kreshnik Krepi do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Nën-19-vjeçareve në futboll për femra. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur t’ia besojë drejtimin e skuadrës kuqezi trajneritnga Shkodra, i cili ka përvojë si trajner në disa skuadra të meshkujve, si Ada e Velipojës, Veleçiku i Koplikut, Besëlidhja e Lezhës, Tërbuni i Pukës, etj., teksa ka përvojë edhe në drejtimin e ekipeve të femrave. Krepi ka fituar dy trofe si trajneri i skuadrës së femrave, Juban Danjës.
Përveçse trajner, Krepi ka punuar ndërkohë edhe si pedagog në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Trajneri do të nisë menjëherë punën me vajzat 19-vjeçare, pasi kjo skuadër po përgatitet për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçareve. Ai zëvendëson në këtë post Maringlen Kulen. Ndërkohë, shorti i hedhur muaj më parë nga UEFA e ka vendosur Shqipërinë në Grupin B3 të Ligës B, së bashku me Uellsin, Moldavinë dhe Andorrën.
Eliminatoret e Nën-19-vjeçareve për futbollin e femrave janë riorganizuar me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të vitit 2020, duke ndarë skuadrat në dy nivele, dy liga, A dhe B, me skuadrat e Ligës A që garojnë për t’u kualifikuar për në Evropian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkurruese dhe për tu ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur më pas në Kampionatin Evropian.
Në Ligën A janë 7 grupe me nga katër skuadra, ndërkohë që në Ligën B janë gjashtë grupe me nga katër skuadra. Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçareve do t’i zhvillojë ndeshjet në data 19, 22 dhe 25 tetor të vitit 2021, teksa vajzat kuqezi do të tentojnë ngjitjen në Ligën A.