AlbanianSport.com 09.01.2017 07:55
ASNN – Trajneri Grima: “U kemi dhënë mundësi luajtje futbollisteve të ardhura nga kampionati ynë dhe ai kosovar, sepse kështu shohim dhe gjendjen e tyre”. Për tifozerinë, ndryshe nga kombëtarja e të rriturve, do të jetë hyrja falas.
Kombëtarja e futbollit të femrave, e cila të mërkurën në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 14:00, do të luajë miqësoren me të rejat e Italisë, ose ndryshe përfaqësuesen Nën-19-vjeçareve të të kaltrave, prej dy ditësh është grumbulluar në Elbasan.
Ajo është duke u stërvitur për të qenë e gatshme për këtë miqësore, ndërsa trajneri i kësaj kombëtareje, Armir Grima, i ka kryer edhe seancat stërvitore pranë fushës së kompleksit sportiv “Shefqet Lamçja” të Elbasanit.
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra, e cila kthehet në fushën e lojës pas tre muajsh e gjysmë, ndonëse duhet thënë se temperaturat kanë qenë shumë të ulëta ka sfiduar çdo vështirësi.
Objektivi i kombëtares në këtë ndeshje është që të përgatiten për paraeliminatoret e Kampionatit Botëror, që do të zhvillohen në muajin prill. Kjo ndeshje do të luhet ditën e mërkurë në orën 14:00 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe hyrja do të jetë falas.