AlbanianSport.com 11.01.2017 20:25
ASNN – Moti i ftohtë, por edhe mungesa e përvojës, teksa u është dhënë shansi një numri elementesh të reja që militojnë në Kampionatin Kombëtar, kanë bërë Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave ta nisë me humbje vitin 2017.
Pavarësisht motit të ftohtë, vajzat kuqezi zbritën në fushën e blertë të Stadiumiot “Elbasan Arena”, për të zhvilluar ndeshjen miqësore me përfaqësuesen e Nën-19-vjeçareve të Italisë, një sfidë kjo që u mbyll me humbjen minimale 0-1.
Fati i ndeshjes u vendos që në pjesën e parë të saj, kur në minutën e pestë, Aliçe Regaxoli ndëshkoi skuadrën përfaqësuese të vajzave kuqezi, duke i dhënë epërsinë 19-vjeçareve italiane.
Kombëtarja shqiptare e vajzave i pati mundësitë për të barazuar shifrat e takimit, por nuk arriti dot t’i shfrytëzojë ato. Fundi i 90 minutave la në fuqi shifrat 1-0 për skuadrën përfaqësuese italiane.