AlbanianSport.com 10/02/2024 18:30
ASNN – Kombëtarja e femrave merr pjesë në turneun “Visit Malta Trophy”, zyrtarizohen dy ndeshje ndaj Bjellorusisë e Ishujve Faroe. Kështu, Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave do të marrë pjesë në turneun “Visit Malta Trophy” që do të zhvillohet në Maltë nga data 22, deri më 25 shkurt 2024.
Ky është një turne që organizohet nga Federata Malteze e Futbollit, që ka ftuar në këtë edicion edhe Shqipërinë e femrave të bëhet pjesë, së bashku me përfaqësueset e Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe.
Vajzat kuqezi, të cilat drejtohen nga trajneri Armir Grima do të zhvillojnë dy ndeshje në këtë turne ndaj Bjellorusisë më 22 shkurt, duke nisur nga ora 14:00, ndërsa 3 ditë më vonë do të luajnë përballë Ishujve Faroe, në po të njëjtën orë.
Të dyja takimet do të zhvillohen në Stadiumin “Tonny Bezzina”. Kombëtarja e femrave do të nisë grumbullimin më 19 shkurt në Tiranë, ndërsa më 21 shkurt, vajzat kuqezi do të udhëtojnë drejt Maltës. Trajneri Grima do të bëjë publike listën me futbollistet e grumbulluara në ditët në vijim.
Këto dy ndeshje janë një mundësi shumë e mirë për skuadrën, por edhe për stafin e ekipit kuqezi për të vëzhguar e testuar vajzat kuqezi, duke qenë se për momentin nuk janë të angazhuara në impenjime zyrtare me ndeshje ndërkombëtare të nivelit UEFA-s apo FIFA-s.