AlbanianSport.com 23/02/2021 22:10
ASNN – 23 futbolliste kuqezi, një javë grumbullim nën urdhërat e trajnerit Grima. Që prej ditës së diel, Kombëtarja shqiptare e femrave vijon të jetë e grumbulluar në Ulqin, nën urdhrat e trajnerit kuqezi, Armir Grima. Trajneri Grima ka ftuar në këtë grumbullim 23 futbolliste, ku 21 prej tyre janë pjesë e ekipeve shqiptare të futbollit, ndërsa janë ftuar edhe mbrojtësja Albina Zyba, e cila aktivizohet në skuadrën e FC A&N Prizren, pjesë e kampionatit të Kosovës, por edhe mesfushorja Luana Zajmi, e cila militon në radhët e ekipit të Promurjes, klub i kampionatit slloven të futbollit të femrave.
Në një prononcim të shkurtër në linjë telefonike, trajneri kuqezi i femrave u shpreh se qëllimi i këtij grumbullimi është për të parë gjendjen e lojtareve si dhe për të evidentuar futbolliste të cilat do të jenë të gatshme për të qenë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. “Sigurisht ne e kemi planifikuar prej kohësh këtë grumbullim, pasi në mungesë të veprimtarive ndërkombëtare për këtë periudhë është e rëndësishme që të shohim gjendjen e skuadrës dhe lojtareve në veçanti, – ka thënë Grima.
Më tej, ai ka shtuar: “Përveç disa futbollisteve që kanë qenë vazhdimisht pjesë e kombëtares A, ne kemi ftuar edhe disa të reja, që aktivizohen në kampionatin shqiptar, në mënyrë që të mund të përzgjedhim edhe elementë cilësorë për të ardhmen.” Kombëtarja shqiptare e femrave do të vijojë të qëndrojë e grumbulluar në Ulqin deri ditën e diel, më 28 shkurt, duke përmbyllur kështu grumbullimin 7-ditor të planifikuar.