AlbanianSport.com 02/04/2022 17:40
ASNN – Kombëtarja e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka luajtur këtë të shtunë një tjetër test miqësor ndaj Tiranës në kuadër të përgatitjeve që po zhvillon për ndeshjet eliminatore të fazës të dytë të Kampionatit Evropian 2022. Në sfidën e zhvilluar në Kompleksin “Skënder Halili”, skuadra e drejtuar nga Kreshnik Krepi ka barazuar me shifrat 2-2 ndaj vajzave bardheblu të kryeqytetit.
Të dy golat u realizuan nga Klea Hamonikaj, në një sfidë që ishte mjaft e vlefshme për stafin kuqezi për të konsoliduar më tepër grupin që ka në dispozicion për 3 ndeshjet në Turqi. Trajneri kuqezi vendosi të hedhë në fushë në këtë ndeshje të gjitha vajzat, të cilat kishin si detyrë të ndiqnin të gjitha udhëzimet e marra përgjatë këtyre ditëve stërvitje, për të përgatitur sa më mirë ndeshjet.
Ky nuk ishte testi i parë për grupin e vajzave kuqezi, që ka zhvilluar disa ditë më parë edhe një tjetër test ndaj Malishevës, ku ka barazuar me rezultatin 5-5. Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka nisur grumbullimin që prej ditës së hënë në në Durrës, teksa më 4 prill do të niset drejt Turqisë, për të zhvilluar ndeshjet e fazës së dytë të Kampionatit Evropian 2022.