AlbanianSport.com 03/10/2018 20:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, ka nisur sot ndeshjet zyrtare të fazës paraeliminatore të Evropianit të kësaj grupmoshe, dhe grupi i saj po i zhvillon takimit në Hollandë. Në kuadër të grupit të 10-të eliminator, Shqipëria është përballuar me përfaqësuesen vendase, në takimin që nisi në orën 19:00 në “Sportpark Parkzicht” në Uden.
Përfaqësuesja e Shqipërisë së femrave për këtë grupmoshë i pati filluar përgatitjet më datë 23 shtator, duke vijuar deri më datën 1 tetor 2018 në qytetin e Shkodrës. Por fillimi ka qenë traumatik për skuadrën e vajzave kuqezi, pasi ato janë mundur me rezultatin e thellë 0-12 përballë bashkëmoshatareve holandeze. Siç dihet, në këto eliminatore përveç Hollandës, Shqipëria përballet edhe me Poloninë dhe Bjellorusinë.
Ndeshja e së mërkurës ka patur dy tablo, pasi në pjesën e parë, vajzat kuqezi kanë bërë qëndresë, duke u dorëzuar vetëm pas 43 minutash lojë, kur Kasparij realizoi për vendaset, të cilat vijuan të gjejnë edhe një gol të dytë në minutën e parë shtesë të kësaj pjese, me Van de Velde. Por pjesa e dytë ka qenë për t’u harruar pasi nga minuta e 49, deri në të 93-tën, pra, për 44 minuta, Shqipëria ka pësuar plot 10 gola.
Nga këto, 7 i ka pësuar brenda 14 minutash dhe Kasparij do të firmosë 3-golëshin e saj personal në këtë takim, kurse shoqja e saj e skuadrës Lojhter ka shënuar 4, ndërsa emrin në listën e golashënuesve në këtë fitore të thellë do ta shkruajnë edhe Hilhorst, Karliir, Grant, por edhe Gentiana Agalliu me një autogol. Holanda merr kështu kreu e renditjes së grupit të 10 me 3 pikë, po aq sa ka edhe Polonia, që mundi Bjellorusinë 2-0.
Në prag të nisjes së turneut zyrtar, trajneri i skuadrës kuqezi të Nën-19-vjeçareve, Nevil Dede, duke folur nga Holanda, për faqen zyrtare të FSHF-së ishte shprehur se “i kemi vlerësuar maksimalisht tre sfidat e këtij grupi eliminator”. “Skuadra gjatë këtyrë ditëve është fokusuar tek puna taktike dhe shpreh optimizmin tim për një mbyllje pozitive të këtij turneu”, – pati deklaruar ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares kuqezi.
Por duket se, përkundër optimizmit të papërligjur, ky grup eliminator do të jetë mjaft i vështirë për skuadrën e Dedes, e cila, pas këtij dështimi të plotë përballë Holandës, do të ndeshet me Poloninë në takimin e dytë, që do të luhet në mesditën e 6 tetorit 2018. Ndërkaq, Shqipëria e Nën-vjeçareve të futbollit të femrave do ta mbyllë këtë grup me ndeshjen e fundit, atë të mbrëmjes së 9 tetorit me Bjellorusinë.