AlbanianSport.com 05/11/2021 21:40
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra do të zhvillojë këtë fundjavë javën e 4-t të tij. Kjo javë nis me një ndeshje që do të zhvillohet të shtunën, ndërsa 4 ndeshjet e tjera do të luhen të dielën. Sfida hapëse e kësaj jave do të jetë ajo mes Skënderbeut dhe Lushnjes, me myzeqaret që do të udhëtojnë drejt Korçës. Të dyja skuadrat vijnë nga humbje, përkatësisht, me Lushnjën që u mund në shtëpi nga Partizani, teksa Skënderbeu humbi përballë Kinostudios.
Ndeshja do të luhet në Korçë duke nisur nga ora 13:00. Të dielën do të zhvillohen edhe katër ndeshjet e tjera, ku spikat derbi i Shkodrës, midis Vllaznisë dhe Atletik Klub. Vllaznia vjen nga një pushim njëjavor këtë javë, me një ndeshje më pak për efekt kalendari dhe përballë do të ketë Atletik Klubin e vendit të 5-të. Sfida do të nisë në ora 14:00 në kompleksin “Zmijani” në Shkodër. Në të njëjtën orë, Murlani pret në qytetin verior Kinostudion.
Një sfidë mjaft delikate kjo për të dyja skuadrat, që do të kërkojnë të marrin 3 pikët. Nga ana tjetër, sërish në ora 14:00, durrsaket e Teutës do të udhëtojnë drejt Kamzës, ku do të luajnë kundër Partizanit që mori një fitore me vlerë në javën e 3-të në ndeshjen kundër Lushnjës në Stadiumin “Roza Haxhiu”. Në ora 12:00, Tirana AS do të presë në Kamëz Apoloninë e vendit të parë, ku do të tentojë të bëjë surprizën dhe të marrë 3pikët.
Ndërkaq, për efekt kalendari, skuadra e Tiranës nuk do të zhvillojë ndeshje këtë javë.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 4-t
Të shtunën, 6 nëntor 2021:
Skënderbeu – Lushnja (13:00)
Të dielën, 7 nëntor 2021:
Tirana AS – Apolonia (12:00)
Vllaznia – Atletik Klub (14:00)
Murlani – Kinostudio (14:00)
Partizani – Teuta (14:00)