AlbanianSport.com 25/08/2021 18:20
ASNN – Mediat italiane analizojnë kundërshtares së Juventusitnë Ligën e Kampioneve të femrave. Shorti i ka dhuruar Vllaznisë një përballje luksi me Juventusin në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve të Evropës në futboll për femra, që është edhe pengesa e fundit për një kualifikim historik në fazën tjetër. Ndonëse Juventusi, 4 sezone radhazi “kampione” e topkëmbës së femrave në Gadishullin e Apenineve, mbetet favorite për sfidën, përtej Adriatikut nuk kanë dyshime se vajzat kuqeblu mbeten sidoqoftë një kundërshtar i vështirë dhe do të jenë një kockë e fortë për torinezet.
Faqja sportive italiane në Internet, “Tuttomercatoweb”, i ka bërë një analizë përballjes italo-shqiptare, duke i dhënë së pari rëndësi pikërisht faktit se në vazon ku gjendej Vllaznia gjatë shortit, ishte ajo që kishte koeficientin më të lartë e përbënte rrezikshmëri më të madhe. “Duke u bazuar te koeficienti, kundërshtar më të keq për Juentusin në turin e dytë nuk mund të kishte”, – shkruan faqja në fjalë. E cila vijon: “Skuadra e Vllaznisë në fakt ishin skuadra me koeficientin më të lartë (10,800) mes ekipeve në vazon e dytë në shortin që do të çojë 7 skuadra në fazën në grupe ku janë kualifikuar fituesja në fuqi, Barcelona.”
“Por edhe fitueset e kampionateve kryesore në Evropë, siç janë Paris SG-ja, Bajerni i Mynih dhe Çellsi. Në letër është një kundërshar i tmerrshëm, por realiteti është se Juventusi është superior si në individualitete, ashtu edhe në grup”, – shkruan më tej, “Tutomerkatoweb”, që veçon një detaj interesant, teksa kujton: “Është e vërtetë që te Vllaznia luan thuajse gjysma e kombëtares shqiptare dhe se skuadra bën të ndjehet faktori i fushës në shtëpinë e saj, ku do të luhet sfida e parë. Por vajzat bardhezi nuk kanë pse të frikësohen sidomos në një sfidë të dyfishtë ku ndeshja e kthimit është në Torino.”
“Lojtaret e ekipeve të tyre përfaqësuese, italiane apo jo, nuk i mungojnë as ekipit të trajnerit Xho Montemurro, që në turin e parë kaloi me lehtësi të jashtëzakonshme maqedonaset e Kamenica Sasa dhe nuk vuajtën shumë ndaj austriakeve të St. Poltenit. Ndaj për Juventusin me shumë mundësi do të hapen dyert e fazës në grupe ku garantohen 6 ndeshje të nivelit ndërkombëtar që do të rritnin përvojë ndërkombëtare të skuadrës bardhezi dhe koeficientin për edicionin e ardhshëm”, – përfundon shkrimi i medias italiane në Internet.