AlbanianSport.com 12.01.2017 07:50
ASNN – Një gol i Regaxolit në fillimin e ndeshjes ka vendosur fatin e ndeshjes miqësore luajtur dje në Stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa vijon paraqitja zhgënjyese e të rriturave. Sfida do të niste mjaft mirë për skuadrën mike të Italisë, e cila, pasi rrezikon fillimisht portën, në rastin e dytë e dërgon sferën në rrjetë. Ka qenë një inkursion i bukur pranë zonës së rreptësisë nga ana e Regaxolit, që driblon pothuajse tërë mbrojtjen shqiptare dhe në fund, pa shumë probleme, e dërgon sferën në rrjetë.
Një epërsi kaq e shpejtë tronditen vajzat shqiptare, të cilat duan disa minuta për të marrë veten. Megjithatë sërish më të rrezikshme janë mikeshat nga Italia, ku përdorin shumë shpesh kundërsulmin dhe shpejtësinë, por goli i dytë duket larg. Në fraksionin e parë të lojës vajzat shqiptare rrezikojnë vetëm dy herë, fillimisht me Begollin që nuk godet siç duhet me kokë dhe në fund me një goditje dënimi nga ana e Jasharit, por topi grushtohet nga portierja mike.
Edhe gjysma e dytë i lojës do të niste pak a shumë me të njëjtin ritëm si pjesa e parë, me ndryshimin e vetëm që trajneri mik bën disa zëvendësime për të rifreskuar skuadrën, ndryshe nga Grima. Italianet janë ato që kanë më shumë siguri në veten e tyre dhe shtyjnë shumë përpara, por pozicionet e shpeshta jashtë loje i mohojnë golin e dytë.
Të besuarat e Armir Grimës gjejnë forca për të shkuar deri në kufijtë e zonës së rreptësisë së skuadrës mike, por finalizimi është shumë i dobët, duke mos e vënë në provë për asnjë moment portieren mike. Edhe në këtë fraksion loje, Jashari do të ketë mundësinë për të barazuar me një goditje me kokë, por tregohet e pasaktë, edhe pse e pa shqetësuar dhe shumë pranë portës kundërshtare. Gjithsesi, mbyllet gjithçka 0-1, me vajzat shqiptare që ndoshta duhet të kënaqen me pësimin e vetëm një goli.