AlbanianSport.com 08/07/2019 18:35
ASNN – Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ka deklaruar se Franca ka organizuar Botërorin më të mirë të femrave në histori. Në një konferencë për shtyp, ai ka thënë se ka plane të mëdha për të ardhmen e futbollit të femrave, duke përfshirë shtimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në 32, në vitin 2023. Në një konferencë shtypi në Lion, kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror ka thënë se turneu ka qenë “fenomenal” dhe “i pabesueshëm”.
“Ka qenë një organizim perfekt nga ana e Francës, për këtë botëror femrash” – ka thënë Infantino, i cili muajin e kaluar u rizgjodh për një mandat të dytë 4-vjeçar, në krye të FIFA-s. Midis shumë propozimeve, për të zhvilluar më tej futbollin e femrave, Infantino tha se do të përpiqet të rrisë konkurrencën, duke shtuar numrin e ekipeve pjesëmarrëse në botërorin e ardhshëm.
“Unë mendoj se ne duhet të rrisim numrin e ekipeve pjesëmarrëse nga 24 në 32”, – tha ai. – “Po mbaron një Botëror me 24 skuadra dhe ishte i mrekullueshëm. Ndaj duhet të veprojmë shpejt dhe ta diskutojmë si një çështje urgjente, shtimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse që në Botërorin e ardhshëm, atë të vitit 2023”, – ka përfunduar Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino