Gjergj Vyshka 02.06.2016 13:45
Sipas të parit të stolit kuqezi të futbollit të femrave, Armir Grima, kjo ndeshje në Elbasan me Rumaninë, por dhe ajo që do të luhet në shtator në vizitën e Francës do të shërbejnë si një motiv për krijimin e ekipit të së ardhmes. “Për fatin tonë të mirë, – ka shpjeguar Grima, – me përfundimin e shpejtë të kampionatit kombëtar kemi pasur kohën e bollshme në dispozicion për të bërë një stërvitje serioze dhe pse jo të gjithë presin marrjen e një rezultati pozitiv.”
“Megjithatë nuk duhet të harrojmë që luajmë përballë kundërshtarësh që kanë më tepër eksperiencë, ka edhe një strukturë zinxhir të ekipeve kombëtare të femrave, – ka vijuar ish-portieri shkodran. – Kurse ne kemi vetëm një, e cila është e sapokrijuar. Unë besoj tek harmonia dhe përkushtimi i grupit”. E Grima ka thënë se nuk ka lidhje që ai ka qenë drejtuesi i Vllaznisë për ato që thërret në kombëtare.
Sepse ideja e tij dhe e stafit që e ndihmon është se dyert e kombëtares së Shqipërisë në futbollin për femra janë të hapura për gjithkënd. “Ne së shpejti do të bëjmë edhe një përzgjedhje më të mirë të lojtareve që luajnë jashtë Shqipërisë. Por e përgjithshmja është se ndeshja me Rumaninë dhe në shtator ajo me Francën do të shërbejnë për krijimin e skuadrës së ardhshme e aftë për të marrë rezultate pozitive në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare”, – ka përfunduar Grima.