AlbanianSport.com 20/09/2018 18:15
ASNN – Ka nisur shpërndarja e biletave për Kampionatin Botëror të Futbollit për Femra 2019. Lajmi është bërë i ditur gjatë një veprimtarie të organizuar nga Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino dhe Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noël Le Graët. Komiteti Organizativ i këtij Botërori ka vendosur që biletat të shpërndahen në formë pakosh. Dhe janë të përcaktuara për të gjitha kategoritë e ndenjëseve të vendosura në të gjithë sektorët e stadiumeve.
“Shitjet do të bëhen vetëm në paketa, kjo është strategjia jonë. Siç mund të shihni edhe në ekran, kemi 10 paketa në dispozicion për 9 qytetet pritëse të Botërorit – është shprehur Ervan Lë Prevost, Drejtor i Komitetit Organizativ të Botërorit. – Këto paketa janë në dispozicion për biletat e të gjitha kategorive të ndenjëseve. Pra mund të shpërndahen 4 bileta për tribunën qendrore, që duhet të jenë radhazi. Një paketë tjetër është, zgjedhja e tre biletave nga 7 ndeshje që mund të kesh në dispozicion”.
Duket se edhe me çmimet nuk është abuzuar, teksa ka bileta që kushtojnë edhe vetëm 9 euro. “Çmimet janë tërheqëse, – tha Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noël Le Graët, – nuk e di nëse e keni vënë re, por kemi vende edhe me 9 euro. Është një objektiv interesant që të promovojmë sa më shumë futbollin e femrave”. Ndërsa trajnerja e ekipit kombëtar të Francës, të futbollit për femra, Korinë Diakre, tregon emocionet dhe përgjegjësitë që mbart kjo veprimtari, sidomos kur zhvillohet në shtëpi.
“Nuk ka asgjë si Kampionati Botëror në botën e futbollit, dhe mbi të gjitha, kur ajo zhvillohet në shtëpi, – tha Korina. – Kjo do të thotë më shumë presion dhe më shumë përgjegjësi. Mendoj se të gjithë duan më të mirën nga ne, kështu shtohet edhe presioni mbi vajzat që do të luajnë. Por të gjithë e dimë se presion ka për çdo ndeshje, jo vetëm në botëror. Prandaj besoj se nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe.”