Gjergj Vyshka 30.03.2017 13:25
Në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit ishin planifikuar 3 ndeshje me Malin e Zi. Më saktë dy, më parë kombëtaret e rritura në Elbasan, atje ku fitoi formacioni i Grimës, 5-3, e më pas Nën-19-vjeçaret e homologut Nevil Dede në Fier, ku u fitua 1-0. Më 2 mars duhet të ishte luajtur dhe një ndeshje e tretë në Shkodër, por që u anulua në mënyrë enigmatike.
Përtej justifikimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilën e mbron dhe sot trajneri Grima, homologët malazez në faqen e tyre zyrtare të federatës së Futbollit treguan se ndeshja u anulua për shkak të helmimit nga ushqimi të lojtareve shqiptare. “Unë nuk e di se çfarë kanë thënë malazezët, – shpjegon Grima, – moszhvillimi i ndeshjes ka qenë një dakordësi mes meje dhe Haxhiosmanoviçit, aq më tepër që e kam pasur trajner tek Vllaznia.”
“Siç e dini, ai ka qenë trajner në Shkodër kur unë isha në pozicionin e drejtuesit të skuadrës kuqeblu, – ka vijuar ish-futbollisti i Vllaznisë, tanimë trajner i Kombëtares së futbollit të femrave të Shqipërisë. – Arsyet qëndrojnë dhe ne kemi një miqësi të hershme me Dedën. Lodhja fizike e disa lojtareve, që është parë dhe në ndeshjen e Elbasanit, na bëri që ta shtyjmë këtë miqësore për një ditë tjetër.”