Gjergj Vyshka 06.12.2014 13:50
Lajmi për njollosjen e titullit të “kampiones së botës” të Romela Begaj me dopingun tronditi të gjithë opinionin publik shqiptar. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes njoftoi në portalin e saj zyrtar se nga rezultatet e analizave të peshëngritëses Romela Begaj është dalluar një dozë e lartë e substancës “stanozolol”, duke e kthyer ngazëllimin e titullit kampion në një zhgënjim gjithëpërfshirës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes foli në një lidhje telefonike për “Ora News”, teksa ka vlerësuar se është përgjegjësi personale e peshëngritëses.
“Ne e kemi vlerësuar këtë informacion, është informacion zyrtar nga Federata Botërore dhe në garën e fundit të kontrollit, ku bëhet testi i fundit përfundimtar para përfaqësimit të Kampionatit Botëror, Romela ka dalë negative si gjithë sportistët e tjerë, – ka zbuluar ai. – Në këtë moment, Federata mori nismën që kushdo sportist që do të përfaqësonte ekipin shqiptar në Kazakistan do të firmoste një kontratë dhe mban përgjegjësi personale në rast se ndodh diçka gjatë zhvillimit të kampionatit botëror”. Gjozaj konfirmoi se Begaj i ka kërkuar Federatës Ndërkombëtare kryerjen sa më shpejt të analizave të dyta.
“Romela Begaj na ka ardhur në zyrat e Federatës dhe me këmbënguljen e saj ka kërkuar që “unë jam testuar, jam kontrolluar dhe jam e sigurt që nuk kam përdorur gjë”, – ka vijuar kreu i shtangës shqiptare. – Dhe kërkoj ligjërisht testin B që i takon. Është test më i specializuar dhe ne do të shprehemi pas marrjes së përgjigjes së testit B.” Në fund, Gjoza theksoi se nëse analizat B rezultojnë pozitive, atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të marrë masën e përjashtimit përgjithmonë të Romela Begaj nga sporti i peshëngritjes.
“Mund t’i falet çdo sportisti një test anti-doping pozitiv, por Romela Begajt nuk i falet në mënyrë kategorike. Masa e Federatës botërore është 2 vjet përjashtim nga aktivitetet sportive. Nëse ngel ajo që është konfirmuar në testin e parë, ajo përjashtohet bashkë me trajnerin e saj përgjithmonë nga sporti”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.