AlbanianSport.com 05.02.2016 07:05
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rezidencën ku do të qëndrojë ekipit kombëtar i futbollit gjatë ditëve të qëndrimit në finalet e Evropianit “Francë 2016”. Është hoteli “L’Agapa Spa” me 5 yje, i prenotuar nga data 6, deri më 23 qershor 2016. Por FSHF ka prenotuar edhe tre hotele të tjera në Lens, Marsejë dhe Lion, qytete këto ku do të luhen ndeshjet me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.
Nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rezidencën e ekipit kombëtar, në të cilën do të qëndrojë gjatë finaleve të Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Bëhet fjalë për Hotel “L’ Agapa SPA”, me 5 yje, në Francë. Në këtë hotel, ekipi dhe gjithë stafi i kuqezinjve do të qëndrojnë gjatë gjithë periudhës së finaleve duke nisur nga data 6 e deri në 23 qershor.
Sipas rregullores së UEFA-s, të gjithë ekipet pjesëmarrëse duhet të jenë të akomoduara në Francë, 5 ditë përpara se të fillojë zyrtarisht veprimtaria. Këtu është përfshirë edhe vazhdimi i qëndrimit në të, në rast se Shqipëria do të vazhdojë rrugën për më tej. Gjithnjë duke iu referuar faqes së Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo nuk do të jetë e vetmja rezidencë e kombëtares shqiptare të futbollit.
Kjo sepse, në fushatën e saj për fazën finale të “Francë 2016”, deri tani janë prenotuar edhe tre hotele të tjerë, në Lens, Marsejë dhe Lion, ku skuadra do të qëndrojë një ditë përpara dhe ditën e ndeshjeve me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.