AlbanianSport.com 26/02/2021 17:10
ASNN – Sistemi VAR (Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos) është projekti i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit për Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, projekt i cili mbulohet i gjithë me buxhetin e FSHF-së. Prej më shumë se dy vitesh Federata e Futbollit është duke punuar intensivisht për këtë projekt që do të rrisë akoma më shumë cilësinë dhe besueshmërinë e futbollit shqiptar.
E ndërkohë që është pothuajse në fund të procesit parapërgatitor, mjediset e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të FSHF-së dhe homologëve të FFK për të ndarë përvojën e përbashkët, momentet ku mund të bashkëpunojmë dhe, në të njëjtën kohë, u ndanë hapat që duhet të ndiqen momentalisht në këtë proces të rëndësishëm.
Drejtuesi i projektit, Lysien Nurishmi, Instruktori i “VAR”-it, Sokol Jareci, dhe Andi Verçani, si përgjegjës i komunikimit për këtë projekt, ndanë etapat që ka ndjekur Federata gjatë këtyre dy viteve, ku pas “Kick-Off”, takimit të parë me përfaqësuesit e IFAB dhe FIFA, janë bërë trajnime të gjyqtarëve, instruktorëve dhe operatorëve të “VAR”-it.
Ata janë tashmë gati për të operuar nga java e parë e sezonit të ardhshëm futbollistik në Kategorinë Superiore. Homologët e FFK-së vlerësuan takimin dhe theksuan se janë duke punuar intensivisht për të arritur të jenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm. Aktualisht kanë kaluar etapën e parë ku janë dakordësuar për parimet bazë me IFAB dhe FIFA dhe janë duke filluar procesin e trajnimit të stafit që angazhohet në proces dhe në momentin e implementimit.