AlbanianSport.com 14.09.2016 20:05
ASNN – Dy oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës kanë qenë sot në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, për të sekuestruar raportin e bërë publik ditët e fundit nga organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, lidhur me dënimin një-vjeçar të Skënderbeut.
Siç dihet, të martën janë vënë në lëvizje edhe organet ligjore shqiptare dhe Task Forca e Prokurosisë së Tiranës ka hapur një hetim kryesisht mbi shkeljet ligjore që mund të jenë konsumuar bazuar mbi raportin e UEFA-s. Oficerët Fatos Lushi dhe Gent Plaku kanë marrë kontakt me drejtuesit e FSHF-së me qëllim marrjen e materialeve që do t’i shërbejnë verifikimeve që po kryhen.
Janë gjithsej 54 ndeshje të dyshuara si të trukuara nga Skënderbeu. Monitorimi i ndeshjeve të Skënderbeut nga sistemi i specializuar ka nisur që nga prilli 2007. Burimet pranë Prokurorisë së Tiranës kanë sqaruar se, mbi bazën e raportit, prokurorët do të hartojnë listën e personave që do të marrin në pyetje lidhur me këtë çështje.
Hetimet janë në një fazë fillestare, për të parë se çfarë kundravajtjesh penale janë konsumuar në këtë çështje e për të vijuar më pak edhe me hartimin e akuzave më konkrete dhe ndërtimin e argumenteve të çështjes.