AlbanianSport.com 16.08.2015 09:35
ASNN – Në kuadër të javës së parë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, shorti kishte përcaktuar duelin Vllaznia-Skënderbeu, pikërisht më datën 22 gusht. Por ecuria e mirë e Skënderbeut në Ligën e Kampioneve ka bërë që FSHF ta shtyjë këtë ndeshje për më vonë, pikërisht për më 9 shtator 2015. Një lëvizje e tillë vjen për faktin e Skënderbeu luan ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit më 19 gusht, tri ditë para sfidës së parë në kampionat ndaj Vllaznisë, ndërsa atë të kthimit me kroatpt, 4 ditë më pas.
Një lëvizje të tillë e kishte kërkuar vetë klubi korçar, duke dashur të kishte edhe mirëkuptimin e FSHF-së dhe klubeve të tjera rivale në kampionat. Ndeshjet e tjera do të zhvillohen sipas kalendarit më 22 gusht 2015. Ky vendim përbën një ndryshim kursi nga qëndrimi që vetë organizmi që qeveris futbollin shqiptar kishte deri para 6 ditësh, kur thonte se Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futboll në Shqipëri nuk do të shtyhet, pavarisht se FSHF-ja e pohonte Skënderbeu ka ngarkesë për shkak të Ligës së Kampioneve.
Por nuk do të ketë asnjë ndryshim në nisjen e Kategorisë Superiore, theksonte Federata Shqiptare e Futbollit, e cila bën me dije se kampionati do të nisë sipas kalendarit në 22 gusht, pavarësisht se Skënderbeu ka një ngarkesë të pazakontë. Sekretari i Përgjithshëm i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Ilir Shulku, pohonte në linjë telefonike për televizionin informativ shqiptar, “ABC News”, se shtyrje nuk do të ishte. Kampionia e Shqipërisë luajti më 12 gusht ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Laçit, të cilën e humbi pas goditjes së 11-metërshave.
Pastaj, më 19 gusht, vjen takimi i parë ndaj Dinamos së Zagrebit në Ligën e Kampioneve. Më 22 gusht ndeshet në Shkodër ndaj Vllaznisë për kampionatin, dhe më 25 ka takimin e kthimit në Kroaci, në “play-off”-in e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Me tri përballje në vetëm 7 ditë, përfshi edhe udhëtimin për në Zagreb, skuadra e trajnerit Mirel Josa do të kishte vështirësi jo të vogla, aq më tepër që nuk janë provuar kurrë më parë. Brenda një jave Skënderbeu luan ndeshjet e jetës, takime ku vendoset nëse do të luajë në grupet e Ligës së Kampionëve.
Po kështu, vendoset edhe nëse do të fitojë edhe 8 milionë euro të tjera. Kjo situatë në fakt bën që futbolli shqiptar të përballet, për herë të parë, me një realitet të ri të këtij sporti, një realitet që për një pjesë të mirë të klubeve të kontinentit është tashmë diçka e zakonshme. Por duket se për këtë arsye, Skënderbeut i është bërë një tolerim, të paktën në nisje të këtij sezoni, sepse duhet parë sesa do ta përballojë skuadra korçare ngarkesën e dyfishtë, si në kampionat, ashtu edhe në veprimtaritë kontinentale, qoftë në Ligën e Kampioneve, qoftë në Ligën e Evropës.